Në kuadër të strategjisë së ndërkombëtarizimit, Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë" (UKZKM) angazhohet për të promovuar lëvizshmërinë ndërkombëtare si një instrument thelbësor për zhvillimin akademik, personal dhe profesional të studentëve, pedagogëve dhe stafit administrativ. Lëvizshmëria/mobiliteti përfaqëson një mundësi konkrete për të përjetuar përvoja formuese dhe ndërkulturore, për të forcuar aftësitë gjuhësore, për të fituar perspektiva të reja kulturore dhe për të nxitur zhvillimin e rrjeteve shkencore dhe akademike.
Erasmus+ 2021–2027 – KA171: Lëvizshmëria ndërkombëtare e studentëve dhe stafit të arsimit të lartë
UKZKM merr pjesë në mënyrë aktive në Programin Erasmus+ 2021–2027, nismë e Bashkimit Evropian për të mbështetur arsimin, formimin, të rinjtë dhe sportin në Evropë dhe në vendet partnere. Në veçanti, Aksioni Kyç 171 (KA171) – Lëvizshmëria Ndërkombëtare e Studentëve dhe Stafit, mundëson lëvizshmëri midis vendeve të treta jo të asociuara me Programin (si Shqipëria) dhe vendeve të asociuara (shtetet anëtare të BE-së dhe vende të tjera pjesëmarrëse), duke ofruar mundësi për:
- Studime jashtë vendit për studentët (nga 2 deri në 12 muaj);
- Praktika ndërkombëtare për studentët dhe të sapodiplomuarit;
- Mësimdhënie për pedagogët në institucione partnere;
- Trajnim për stafin akademik dhe administrativ.
Për studentët, universiteti garanton njohjen automatike të krediteve të fituara gjatë përvojave të lëvizshmërisë, në përputhje me sistemin ECTS dhe Kartën Erasmus për Arsimin e Lartë. Gjithashtu, promovohet lëvizshmëria e përzier (blended mobility), duke kombinuar periudha të të nxënit fizik dhe virtual, për të rritur aksesin dhe fleksibilitetin e përvojave formuese.
Programi Erasmus+ 2021–2027
Ky program synon të:
- Përmirësojë aftësitë dhe punësimin;
- Promovojë përfshirjen sociale dhe pjesëmarrjen aktive;
- Mbështesë tranzicionin e gjelbër dhe dixhital;
- Forcojë identitetin evropian, qytetarinë aktive dhe kohezionin shoqëror.
Programi thekson katër prioritete ndërsektoriale:
- Përfshirje dhe diversitet – Të garantohet qasje e barabartë dhe mundësi për të gjithë, me vëmendje të veçantë për personat me më pak mundësi.
- Qëndrueshmëri mjedisore – Të inkurajohen praktikat ekologjike gjatë aktiviteteve të lëvizshmërisë, në kuadër të luftës kundër ndryshimeve klimatike.
- Transformim dixhital – Të mbështetet përdorimi i mjeteve dixhitale dhe metodave inovative në arsim dhe formim.
- Pjesëmarrje në jetën demokratike – Të nxitet angazhimi qytetar dhe pjesëmarrja aktive në jetën demokratike të BE-së.
Marrëveshje dypalëshe, diploma të përbashkëta dhe bashkëpunime ndërinstitucionale
UKZKM promovon lëvizshmërinë jo vetëm në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe për dhënien e diplomave të përbashkëta ose të dyfishta me universitete partnere italiane, por edhe përmes bashkëpunimeve me institucione dhe ente të tjera akademike, shëndetësore, shkencore dhe kulturore, publike dhe private.
Këto lëvizshmëri përfshijnë aktivitete studimi, kërkimi, praktike, mësimdhënieje dhe trajnimi, duke kontribuar në integrimin akademik, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe transferimin e aftësive në fusha ndërdisiplinore dhe profesionale.
Burimi: https://erasmus-plus.ec.europa.eu
Për më shumë informacion mbi mundësitë e lëvizshmërisë të ofruara nga UKZKM, ju ftojmë të konsultoni seksionin përkatës në faqen tonë të internetit ose të kontaktoni Zyrën e Projekteve Formuese dhe Kërkimore.