Në Sallën e Senatit të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” u zhvillua promovimi i projektit kombëtar “Koha për Gjirin – Vlerësimi i personalizuar i rrezikut dhe diagnoza e hershme e kancerit të gjirit në farmaci”, një nismë inovative në fushën e shëndetit publik. Projekti synon të ndërgjegjësojë duke ndihmuar në parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të rasteve përmes farmacive pjesëmarrëse në këtë projekt. Çdo grua do të ketë mundësi të plotësojë një pyetësor të vlerësuar shkencërisht, të marrë një vlerësim të personalizuar e konfidencial dhe nëse rezulton me risk të lartë të përfitojë një telekonsultë me profesionistë të fushës për përcaktimin e kontrolleve të nevojshme. Faza pilot e këtij projekti përfshin 15 farmaci të përzgjedhura në Shqipëri gjatë të cilës farmacistët e trajnuar do të ndihmojnë në informimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit mbi shëndetin e gjirit. Ky model synon të forcojë diagnostikimin e hershëm, të fuqizojë gratë dhe të krijojë një kulturë të re të parandalimit në të gjithë shoqërinë. Ky projekt është inovativ dhe zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë me mbështetjen e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Vlerësimi do të jetë individual duke respektuar privatësinë dhe mbështetet në faktorë kyçë si historia familjare, faktorët hormonalë dhe riprodhues, stili i jetesës (p.sh. dieta, aktiviteti fizik, BMI), faktorët prediktivë të kombinuar të llogaritur përmes algoritmeve të vlerësuara klinikisht.
Objektivat e projektit janë mbrojtja e shëndetit të grave, ndihmesa e specializuar për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe reduktimi i barrës së sëmundjes në nivel kombëtar dhe rajonal.
Në takim dhanë vlerësimet e tyre Rektori I UKZKM Prof. Leonardo Palombi, Presidenti I Fondacionit Zoja e Këshillitt ë Mirë fr. Ruggero Valentini, Drejtori i Spitalit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” Fabian Cenko, mjekë të njohur, farmacistë dhe përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik.
Koha për gjirin është tani