Në kuadër të projektit “Terapia farmakologjike, trajtimi fizioterapeutik dhe benefitet e rehabilitimit me hidroterapi tek fëmijët me paralizë cerebrale infantile”, financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe i zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit dhe shkencës, stafi i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës, Prof. Dr. Haxhi Kamberi, së bashku me Prof. Asoc. Dr. Dafinë Kaçuri, mirëpritën Prof. Asoc. Malvina Hoxha dhe PhD Enkeleda Gjini. Anëtarët e projektit finalizuan rezultatet e studimit, të cilat pritet të diseminohen në muajt në vijim.
Gjithashtu, Prof. Malvina Hoxha dhe PhD Enkeleda Gjini morën pjesë në aktivitetin shkencor të organizuar nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, me titull “Rëndësia e skriningut prenatal dhe neonatal për diagnostikimin e hershëm të anomalive kongjenitale të zemrës”. Aktiviteti pati si relator Prof. Dr. Ramush Bejiqi, ndërsa në panelin e diskutimit morën pjesë Prof. Dr. Haxhi Kamberi, Prof. Asoc. Faton Hoxha dhe Prof. Asoc. Faton Krasniqi. Gjatë aktivitetit koordinatorja shkencore e projektit për palën shqiptare Prof. Assoc. Malvina Hoxha, prezantoi punën dyvjeçare të realizuar në kuadër të projektit, duke theksuar ecurinë e tij, rëndësinë dhe vështirësitë e hasura. Ajo nënvizoi se, përveç identifikimit të rasteve me paralizë cerebrale infantile në Shqipëri dhe Kosovë, një ndër synimet kryesore të projektit ka qenë edhe ndërgjegjësimi për mbështetjen sociale dhe kujdesin që duhet t’u ofrohet këtyre pacientëve. Nga ana e saj, PhD Enkeleda Gjini theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, veçanërisht në zonat rurale, ku aksesit në shërbimet shëndetësore luan një rol kyç.
Në përfundim të aktivitetit, Universitetit Katolik ‘Zoja e Këshillit të Mirë’ iu akordua një certifikatë mirënjohjeje, në vlerësim të kontributit të dhënë në realizimin e suksesshëm të projektit bilateral Shqiperi-Kosovë.