Në javët 9–13 dhe 23–28 shkurt 2026, pesë anëtarë të stafit akademik dhe administrativ të Universitetit tonë morën pjesë në një program mobiliteti për mësimdhënie dhe trajnim pranë Universitetit të Salentos, në kuadër të projektit TNE “Health Connect”, i financuar nga PNRR – NextGenerationEU, me qëllim forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet universiteteve italiane dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë mobilitetit u zhvilluan aktivitete të mësimdhënies, kërkimit shkencor, job shadowing dhe takime institucionale me pedagogë dhe zyra të Universitetit të Salentos, duke nxitur shkëmbimin e praktikave të mira në fushën e ndërkombëtarizimit, menaxhimit të projekteve kërkimore, mobilitetit akademik dhe politikave gjithëpërfshirëse, si edhe diskutimin e bashkëpunimeve të mundshme akademike për programe studimi të përbashkëta dhe diploma të dyfishta.
Klodian Muço dhe Bardha Karra, përveç aktiviteteve të mësimdhënies dhe trajnimit pranë Departamentit të Shkencave të Ekonomisë të Universitetit të Salentos, kanë nisur gjithashtu diskutime mbi projekte të mundshme kërkimore të përbashkëta mbi tema me interes të veçantë dhe aktual për rajonin e Ballkanit.
Një rëndësi e veçantë patën edhe aktivitetet kërkimore të zhvilluara nga Malvina Hoxha, e ftuar pranë Departamentit të Shkencave dhe Teknologjive Biologjike dhe Mjedisore të Universitetit të Salentos, të përqendruara në studimin e mediatorëve të acidit arahidonik dhe të rolit të faktorit të transkriptimit Nrf2 në sëmundjet neurodegjenerative, duke kontribuar në zhvillimin e bashkëpunimeve shkencore në fushën e shkencave biomjekësore dhe farmaceutike.
Paralelisht, Franc Shllaku, pranë Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Salentos, mori pjesë në aktivitete akademike dhe kërkimore në fushën e arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore, me vëmendje të veçantë ndaj temës së mirëqenies në muze dhe vlerësimit të hapësirave ekspozuese, duke marrë pjesë gjithashtu në takime akademike, vizita studimore dhe iniciativa shkencore dedikuar praktikave bashkëkohore muzeale.
Dr. Laura Yzeiraj, nga Zyra e Projekteve Formuese e Kërkimore, kreu vëzhgim të punës dhe bashkëpunoi me zyrat përkatëse të universitetit pritës, duke fituar njohuri të thella mbi proceset për hartimin, menaxhimin dhe monitorimin e projekteve ndërkombëtare, si dhe strategjitë institucionale për ndërkombëtarizimin dhe bashkëpunimin akademik.
Mobiliteti përfshiu gjithashtu pjesëmarrjen në workshop-in ndërkombëtar “Strengthening Cooperation between the University of Salento and Western Balkans Universities”, i organizuar nga Universiteti i Salentos, me koordinimin e Valentina Ndou të Departamentit të Inxhinierisë dhe Inovacionit. Ky aktivitet përbëri një mundësi të rëndësishme për shkëmbim idesh ndërmjet universiteteve partnere dhe për prezantimin e aktiviteteve dhe prioriteteve të ndërkombëtarizimit të universitetit.
Kjo përvojë përfaqëson një hap të mëtejshëm në forcimin e rrjeteve akademike ndërkombëtare dhe në zhvillimin e bashkëpunimeve të reja në kërkim, formim dhe programe akademike të përbashkëta, në përputhje me strategjinë e ndërkombëtarizimit të universitetit.