×

Italia dhe Shqipëria së bashku për të zgjeruar ofertën didaktike universitare

Bruno Giardina është Rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë (UKZKM). Në këtë intervistë për Domus Europa ai thekson lidhjen e fortë midis Italisë dhe Shqipërisë, edhe në nivel akademik.


Nën kujdesin e  Gennaro Grimolizzi (http://www.domus-europa.eu/)
Intervistë me Profesorin Bruno Giardina, Rektori i Universitetit Katolik të Tiranës
"Njohuritë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësorë"

Bruno Giardina është Rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë (UKZKM). Në këtë intervistë për Domus Europa ai thekson lidhjen e fortë midis Italisë dhe Shqipërisë, edhe në nivel akademik. Nuk mund të ishte ndryshe për dy vende që i qëndrojnë pranë njëra-tjetrës dhe që ndahen vetëm nga qindra kilometra prej detit Adriatik.

Profesor Giardina, jeni një pikë referimi për ofertën didaktike dhe formimin e studentëve shqiptarë. Cilat janë projektet për të ardhmen?

Universiteti ynë ka marrëveshje zyrtare të njohura nga MIUR ( Ministria për Universitetet dhe Kërkimin Shkencor) me universitete të ndryshme italiane dhe konkretiksht me Universitetin e Romës “Tor Vergata" për Fakultetin e Mjekësisë, me Universitetin e Barit "Aldo Moro" për Farmacinë dhe Ekonominë dhe me Universitetin e Firences për Arkitekturën. Falë këtyre marrëveshjeve, lëshojmë diploma të dyfishta ose të përbashkëta që kanë vlerë në Itali dhe, për rrjedhojë, në Europë. Në rastin e titullit të dyfishtë, njohja është automatike dhe e menjëhershme. Përveç rrugëtimit universitar për marrjen e një diplome në Fakultete të ndryshme, ne ofrojmë edhe programin Erasmus me universitetet e Veronës, L'Aquila-s, Pisas dhe Krakovës në Poloni. Praktikat e formimit profesional janë të vlefshme për të gjitha fakultetet dhe janë të detyrueshëm për mjekësinë, stomatologjinë, shkencat infermieristike dhe fizioterapinë.

Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” ka forcuar lidhjen midis Italisë dhe Shqipërisë. Dy vende që kanë shumë aspekte të përbashkëta ...

Në nivelin pasuniversitar ne ofrojmë masterat specifikë për fakultete të ndryshme dhe gjithashtu doktorata (në disa raste ndërkombëtare). Bazuar në marrëveshjet ad hoc, masterat mund të zhvillohen në bashkëpunim me universitete të tjera, përveç atyre të përmendura më lart. Numri më i madh i studentëve italianë regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë. Kjo lidhet në mënyrë të qartë me numrin e mbyllur të aplikimeve në Itali. Duhet mbajtur parasysh që numri i studentëve të regjistruar në vitin e parë të mjekësisë përcaktohet nga MIUR dhe Universiteti “Tor Vergata”. Me fjalë të tjera, për të rinjtë italianë që dëshirojnë të regjistrohen në mjekësi, UKZKM është një mundësi më tepër, saktësisht si Universiteti Katolik Italian dhe Universiteti Campus Biomedico. Nuk duhet të nënvlerësohet edhe aspekti ekonomik i lidhur me koston e jetesës. Të jetosh si student në Milano apo Romë nuk është si të jetosh në Tiranë.

A po rriten regjistrimet akoma më shumë?

Numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar në Universitetin Katolik  “Zoja e Këshillit të Mirë” është 2562. Nga këta 634 janë italianë. Gjashtëqind janë studentë italianë të regjistruar në programe të ndryshme studimi të Fakultetit të Mjekësisë. Më pëlqen, megjithatë, të shtoj disa kuriozitete. Shumica e studentëve tanë janë myslimanë. Universiteti ynë funksionon sipas ligjit shqiptar, por gjuha zyrtare e mësimit është italisht. Por më lejoni të bëj edhe një tjetër reflektim.

Ju lutem, vazhdoni.

Përvoja universitare UKZKM paraqet një moment të rëndësishëm dhe unik në marrëdhëniet midis dy popujve, midis dy kulturave, asaj italiane dhe asaj shqiptare. Të rinjtë janë kuriozë nga natyra, të hapur për dialog, të etur për të kuptuar dhe për t’u kuptuar. Dhe kështu ndërtohen themelet e një integrimi të vërtetë, të një integrimi që nuk është ndërhyrja e një kulture në një tjetër, por që bazohet në sinergji, në respektin reciprok, në mënyrë që të lindë një kulturë e re më e pasur, si nga pikëpamja shkencore dhe njerëzore. Ne jemi një shembull unikal i një strukture universitare, ku studentë shqiptarë dhe italianë, profesorë italianë dhe profesorë shqiptarë bashkohen dhe i japin origjinë një proçesi formues me karakteristike specifike, të veçantë dhe të vështirë për t’u imituar. Ne besojmë me ngulm se programet e studimit, të çdo niveli, dhe ato universitare nuk duhet të shërbejnë vetëm për të ndërtuar profesionalizëm, por mbi të gjitha njerëz, burra dhe gra. Misioni ynë i vërtetë është të nxisim njohuritë e ndërsjella, të rrisim respektin e ndërsjellë me besimin se përtej kombësisë, përtej besimit fetar, përtej dallimeve kulturore, ajo që ka rëndësi është respektimi i të drejtave të njeriut, respekti për tjetrin dhe për gjithçka tjetër.

A do të vijojë bashkëpunimi me Italinë dhe pjesën tjetër të Evropës?

Sigurisht. Spitali universitar Zoja e Këshillit të Mirë, i lidhur ngrushtë me Fakultetin e Mjekësisë është në ndërtim e sipër, punimet pritet të përfundojnë në nëntor. Qëllimi ynë është të ofrojmë kujdes shëndetësor të nivelit evropian, me mbështetjen e pedagogëve dhe profesionistëve italianë. Do të nisim me të ashtuquajturin "poli i grave", duke iu përkushtuar patologjive onkologjike të grave, siç është për shembull senologjia. Studentët shqiptarë janë të vetëdijshëm për vështirësitë e gjetjes së një vendi pune në atdhe, ndaj për këtë janë të gatshëm të ikin jashtë vendit. Vendet më të disponueshme janë Gjermania, Anglia dhe Franca.

Si është situata në Shqipëri pas tërmetit të disa muajve më parë?

Tërmeti shkaktoi shumë dëme. Shkollat dhe universitetet u mbyllën përreth dhjetë ditë. Tani situata është normalizuar dhe atmosfera është më e qetë. Padyshim që tërmetet e vogla dhe të mesme janë përjetuar me shumë frikë.

Lexo artikullin origjinal:

http://www.domus-europa.eu


Na ndiqni