×

Historia e Fondacionit Zoja E Këshillit të Mirë

...


Sot më 26 Prill, Fondacioni celebron Festën e Pajtores së tij, Zoja e Këshillit të Mirë e shpallur nga Këshilli i Ipeshkvinjëve shqiptarë në vitin 1895 si Pajtore e Shqipërisë. Fondacioni Zoja e Këshillit të Mirë është themeluar 27 vite më parë nga Kongregata e Bijve të Zojës së Papërlyer (CFIC) dhe ka përparësi të zhvillojë në Shqipëri dy fusha: arsimin dhe shëndetësinë.
Për t'u njohur më mirë me historinë e Fondacionit ZKM, ju ftojmë artikullin e plotë.

1993
Qëllimi human dhe perspektiva e zhvillimit të projektit "Shqipëria" përbëjnë themelet e Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë. Më 27 Shtator, Vëllezërit e parë të Kongregatës së Bijve të Zojës së Papërlyer nisen nga Roma dhe vendosen në Shqipëri.

15 prill 1993
Nunci Apostolik i Kishës Katolike në Shqipëri Imzot Ivan Dias, shpreh gatishmërinë t’i dhurojë Kongregatës së Bijve të Zojës së Papërlyer një ndërtesë në Rrugën e Kavajës, e cila në atë kohë ishte në përdorim të Caritas, me synim krijimin e një Poliambulance. Në fillim të 1995 u përurua Poliambulanca "Atë Luigi Monti". Poliambulanca ofron shërbime të ndryshme shëndetësore me një qëllim kryesor, përmirësimin e shëndetit të popullatës shqiptare.

28 prill 1993
Një akt i madh solidariteti, ishte dhurimi i një trualli në Tiranë me ndërmjetësimin e Nënë Terezës për Kishën Katolike. Trualli në rrugën që sot mban emërtimin Dritan Hoxha u dhurua me perspektivën e ndërtimit të një spitali. Kongregata e Bijve të Zojës së Papërlyer u ngarkua për realizimin e kësaj vepre, e vetmja në llojin e saj në Ballkan.

24 nëntor 1993
Fondacioni Zoja e Këshillit të Mirë njihet ligjërisht. Qëllimi i Fondacionit është përkushtimi ndaj kurimit të të sëmurëve dhe edukimi i të rinjve jetimë, të braktisur dhe që kanë nevojë për ndihmë. Fondacioni shërben si katalizator i promovimit, organizimit dhe menaxhimit të strukturave si spitalet, klinikat, azileve, strukturave shëndetësore dhe të përkujdesit, dhe institucioneve arsimore. Fondacioni është një entitet i njohur nga legjislacioni shqiptar, i themeluar në vitin 1993 nga Kongregata e Bijve të Zojës së Papërlyer. Në Shqipëri, Fondacioni përfaqëson qëllimet dhe frymëzimin e karizmës ungjillore të një kleriku italian Luigi Maria Monti (Bovisio Masciago 1825 – Saronno 1900), infermier dhe edukator.

 

Me vendimin Nr. 567 të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Fondacioni "Zoja e Këshillit të Mirë" hapi universitetin me të njëjtin emër, i vetmi në llojin e tij jashtë kufijve të shtetit italian. Më 28 gusht 2004 nisi viti i parë akademik me Fakultetin e Mjekësisë (Stomatologji, Fizioterapi, Shkencat e Infermierisë), Shkencat Politike dhe Ekonomikë (Shkencat Politike, Ekonomi). Në vitin akademik 2005-2006 hapet edhe Fakulteti i Farmacisë.

Na ndiqni