Shkrimtari Besnik Mustafaj u takua në Aula Magna në UKZKM me një audiencë studentore, me profesorë, mjekë të Spitalit Katolik, me Presidentin e Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë fr. Ruggero Valentini dhe mori prej tyre një sërë pyetjesh rreth jetës së tij të ndarë 20 vjet më parë mes politikës dhe pasionit për letërsinë. Organizimi bëri bashkë nevojën për reflektim tek të rinjtë dhe njohjen e tyre me botën letrare, përfaqësues i respektuar i të cilës është edhe Besnik Mustafaj, si dhe përballjen e vetë shkrimtarit me lexuesit e librave të tij. Takimi u përshëndet nga Presidenti i Fondacionit Zoja e Këshillit të Mirë fr. Ruggero Valentini, i cili jo vetëm po e lexon në gjuhën italiane autorin, por solli në vëmendje për publikun rëndësinë e pasurimit shpirtëror dhe njerëzor tek të rinjtë në kohët e sotme sfiduese të globalizimit dhe teknologjisë. “Vera pa kthim” romani i botuar në disa gjuhë ishte zanafilla kryesore e takimit të moderuar nga Përgjegjësja e Bibliotekës së UKZKM Mimoza Agastra. Bashkëbisedimi letrar u pasurua gjatë takimit edhe me performancat e Korit të Universitetit (Zoja Band) që interpretoi Himnin Kombëtar në nder të festave të nëntorit dhe disa këngë me tekstshkrues të njohur shqiptarë. Vetë shkrimtari e ndau bisedën me studentët dhe të ftuarit e shumtë si një udhëtim në jetën e tij ku fitoi pasioni për letërsinë dhe dëshira për të komunikuar me botën përmes prozës. Besnik Mustafaj e botoi librin e parë me poezi kur ishte ende 19 vjeç. Gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar ai botoi edhe dy libra me poezi, dy libra me proza për fëmijë, një libër me tregime dhe një roman. Po gjatë kësaj periudhe ai shkroi edhe dy skenare për filma me metrazh të gjatë që u censuruan. Gjatë jetës ai ka fituar të gjitha çmimet letrare të vendit. Në vitin 2019, për romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, ai mori “Çmimin e madh” si libri më i mirë i vitit, dhënë nga Shoqata e botuesve shqiptarë në Panairin e librit të Tiranës. Në vitin 2024 romanin “Fati i marrë” u vlerësua për herë të dytë si romani më i mirë i vitit. Gjatë vitit 2025 në panairin e librit të Preshevës Besnik Mustafaj u nderua me çmimin e karrierës për veprën e tij letrare. Disa nga romanet, esetë, poezitë dhe tekstet e tij për teatër janë përkthyer në më shumë se dhjetë gjuhë madje në italisht është përkthyer romani i tij “Një sagë e vogël burgu”, eseja “Shqipëria midis krimeve dhe mirazheve” dhe libri me poezi të zgjedhura “Legjenda e lindjes time”. Romani i tij “Daullja prej letre” në botimin francez (Actes Sud), ka marrë çmimin “Méditerranée étranger”. Romani i tij “Boshi” botuar në Francë te Albin Michel, ka qenë finalist për çmimin “Medicis étranger”. Në Itali romani i tij “Një sagë e vogël burgu” ka marrë çmimin Flaiano dhe po përshtatet për teatër nga një kompani teatrore italiane. Dy romanet e tij “Vera pa kthim” dhe “Daullja prej letre” janë përshtatur edhe për skenarë filmash në Shqipëri.