Placement

Java Globale e Sipërmarrjes është një inciativë ndërkombëtare e konceptuar për t’i njohur të rinjtë me sipërmarrjen.

Për t’u njohur me sfidat e sipërmarrjes në vendin tonë, studentët e Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” vizituan Qendrën e Trajnimeve të Intesa Sanpaolo Bank Albania. Kjo vizitë u realizua në kuadër të Edicionit të 8-të, të Ditës Ndërkombëtare të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të organizuar nga Confindustria Albania.

“Dëshirojmë të flasim për të ardhmen me ata të cilët janë e ardhmja”- u shpreh presidenti i Konfindustrisë, Alberto Baban. Ai tha se këto lloj takimesh shërbejnë për të risjellë në vëmendje çështjen e të rinjve dhe perspektivën e tyre.

Fakulteti i Ekonomisë dhe Zyra e Job Placement pranë UKZKM organizuan gjithashtu me studentët e Degës së Ekonomisë një vizitë në një sipërmarrje prodhimi të kryeqytetit që i përket kategorisë “fasoneri veshjesh për firma të njohura italiane”. Takimi u mendua si një shembull i përshtatshëm për informimin e studentëve mbi nisjen dhe zhvillimin e biznesit, duke patur parasysh faktin se ky sektor, përfaqëson përqindjen më të lartë të sipërmarrjeve në vendin tonë.

Përgjegjës administrativ z. Rei Tenolli, një ish student i UKZKM-së, i diplomuar në programin e studimit Ekonomi Ndërmarrjeje prezantoi nga afër studentët me fazat dhe ciklet e biznesit që menaxhon.

Nga data 13-19 nëntor, 160 vende të botës zhvillojnë takime, evente dhe konkurse në Javën Globale të Sipërmarrjes.