Orientimi dhe Karriera

37 institucione akademike italiane si Universitete, Akademi të Arteve dhe Konservatorë prezantuan programet e studimit në panairin “Studiare in Italia”, më 24 mars në Tiranë. Në këtë event të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës, nën kujdesin e Ambasadës Italiane në Tiranë, ishte i pranishëm edhe Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, që prezantoi programet e studimit të katër fakulteteve: Mjekësi, Farmaci, Arkitekturë dhe Ekonomi.

Ky event, i cili synon të promovojë dhe mbështesë sistemin akademik italian në Shqipëri, i dedikohet kryesisht maturantëve që duan të vazhdojnë studimet e larta.

Interesi i nxënësve maturanë ishte i madh në stendën e UKZKM-së, ku patën mundësi të bashkëbisedonin edhe me të deleguarit e Rektorit në këtë event: Prof. Francesco Rulli, Drejtor i Departamentit të Shkencave Kirugjike dhe Prof. Raul Caruso, Drejtor i Qendrës Europiane të Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim (CESPIC), pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.