Profesoret

“Kam lindur në një qytezë të vogël të Trentinos, në një hapësirë midis maleve të larta e të zhveshura të Valle d’Adige, që ngrihet nën hijet e gjata të dy anëve të malit, hije që luhaten çdo ditë derisa e mbështjellin luginën në errësirë. Duke u shtrirë nga Veriu drejt Jugut, anët e luginës janë si meridianë për këtë vend: ashtu si drita e mëngjesit ngjyros ngrohtë shtëpitë dhe copëzat e fushës në anën e djathtë të lumit, ashtu dhe perëndimi gjallëron tonalitetet e bregut të kundërt.

Kështu përshkruan Prof. Maria Grazia Eccheli prejardhjen e saj, ato vizione që kanë shënjuar një identitet që e ka shoqëruar në formimin dhe sensibilitetin e saj si arkitekte. Nis kështu një rrëfim plot kujtime mbi ngjarje, eksperienca dhe mbi të gjitha një rrëfim i vetvetes, duke filluar nga ballafaqimi i parë me botën magjepsëse e të ri-shkruarit të vëndeve, një botë për të cilën ajo sot i mëson studentëve se si edhe ata mund ta bëjnë botën e tyre.

“Takimi im i parë me arkitekturën ka qënë rreth viteve ’70 në Universitetin IUAV të Venecias: një fakultet që fitoi shumë shpejt prestigj dhe falë mësimdhënies të disa arkitektëve të rinj, të cilët përcillnin teori e projekte, të cilat që asokohe ishin objekt debatesh në nivel ndërkombëtar.

      

Edhe pse ëndrra ime ishte të bëhesha pjesë e botës së modës, falë këtyre profesorëve u dashurova me botën e formave: leksione të paharrueshme që më shtynin drejt një njohje tjetër të hapësirave, deri dhe në veçantinë e objekteve më të thjeshta të përditshme. Një periudhë e papërsëritshme: Mies Van der Rohe e Adolf Loos, Le Corbusier dhe racionalistët italianë, të cilët kanë ditur të shkrijnë në një rregullin me kulturën mesdhetare.

 Mësova shumë shpejt që mjeshtrat e vërtetë ishin veprat e arkitekturës së mirëkrijuar (ato të së tashmes dhe të së shkuarës): të rishkelje në to do të thoshte të kuptoje “shpirtin” e tyre, e vetmja rrugë për çdo interpretim të mëtejshëm e të pashmangshëm drejt modernes.

Mësova se si të nxjerr në dritë gjurmët (çdo vend mbart si fat të tij shkatërrimin e vetvetes, shkruante i madhi BORGES: "... nëse do të gërmonim, do të gjenim rrënoja, fjalë të çrrënjosura e të copëtuara, fjalë të përcjella prej të tjerëve ..."): nis këtu admirimi për RRËNOJAT dhe paplotësinë e tyre, admirim që arrin të gjejë e lexojë ato shenja që mund të rimarrin jetë e të shndërrohen në një projekt.”

Janë vite plot stimuj, vitet e fakultetit për të cilat na rrëfen M.G. Eccheli, plot gjallëri, ide dhe dëshirë për të konkretizuar mësimet e marra nga mjeshtrat e mëdhenj në karrierën profesionale.

 E sapo diplomuar, qëllimi im ishte t’i përkushtohesha vetëm profesionit si arkitekte e të shkëputesha prej Universitetit, megjithëse pata shumë “ftesa” prej disa profesorëve për të qëndruar… por përsëri, ashtu si tek Divina Comedia, aty ku shtigjet ndahen, fillova të ec drejt asaj bote që kisha vendosur të braktisja.

Në Venecia, në Universitetin IUAV, fillova të isha pjesë e revistës PHALARIS, e thirrur prej vetë drejtorit të atëhershëm Luciano Semerani, si një pasqyrë e një arkitekture në ballafaqim të vazhdueshëm midis së shkuarës e së tashmes, e mbi të gjitha, bashkëpunuese me të gjitha format e ARTIT: pikturë, skulpturë, modë e letërsi.
Kjo eksperiencë do të ishte më vonë një far i rëndësishëm që do të më drejtonte, në fund të viteve ’90, me ardhjen time në Fakultetin e Arkitekturës së Firences si profesor me kohë të plotë, në momentin që mora dhe drejtimin e revistës FIRENZE ARCHITETTURA.

Mendoj, se e kam çuar dhe vazhdoj ta çoj përpara këtë revistë me rregull dhe krijmtari; falë dhe bashkëpunimit me një Komitet Shkencor Redaktues i përbërë nga hulumtues të rinj dhe nga përpikmëria e një Komiteti të ri Shkencor Ndërkombëtar shumë kërkues, revista arriti të vendoset në klasën A të revistave të sektorit.
Në përgjithësi, raporti im me studentët dhe bashkëpunëtorët është një shkëmbim i përhershëm, një eksplorim i përbashkët i botëve dhe tematikave të reja; së fundmi ai për ndërtimet me baltën e kuqe të Marakeshit, ai i të ndërtuarit “më pak”, me materialet e traditës vëndase. Gjesti, ashtu si dhe pasioni, është i njëjti: të çosh përpara forma të së shkuarës duke i shndërruar në moderne.

Është e qartë që bota ime e punës nuk është asnjëherë e shkëputur nga kërkimet universitare.
Tematikat dhe problematikat e vetë arkitekturës marrin jetë si në hapësirën që gjejnë përgjatë fushës didaktike, ashtu si dhe në principet bazë të punës në Studio (e themeluar në Verona me Riccardo Campagnola-n, profesor në Politeknikun e Milanos).

Tematika kryesore – që arrin të përcaktojë “tonalitetin” e kërkimit – është gjithmonë RI-SHKRIMI:
ose më mirë, rindërtimi në një konglomerat tashmë të paidentifikueshëm e të pajetueshëm; ashtu si dhe rindërtimi i peisazheve të transformuara nga koha. Tematika të cilat shfaqen përsëri dhe janë të pranishme në mënyrë këmbëngulëse, si në dialogun me studentët, ashtu edhe në punën në studio, me Roberton dhe bashkëpunëtorët e rinj.

Kemi ndjesinë që janë të njëjtat emocione e stimuj që M.G.Eccheli kishte si studente Arkitekturë në Venecia, gjatë leksioneve të mjeshtrave të mëdhenj të arkitekturës, ato që kanë sot studentët tanë të Univ.Kat. ZKM në Tiranë, të cilët ndjekin me ëndje lëndën e saj “Laboratori i Projektimit të Arkitekturës I” i vitit të parë.
Leksionet e saj janë frut jo vetëm i eksperiencës akademike dhe i kërkimit shkencor, por mbi të gjitha dhe i një numri të madh eksperiencash sektorin projektues.

TEMATIKAT E DIALOGIMIT ME ARKITEKTURËN
Të ftuar në konkursin për rindërtimin e Kështjellës në Ishullin e Muzeve të BERLINIT, tematika e KUJTESËS mbizotëronte deri në atë pikë, sa koncepti gjenerues i projektit tonë, u bë ai i zhvendosjes së vetë qytetit brenda ndërtesës së re, duke e transformuar në muze të vetvetes dhe të qytetit të shkatërruar. Galerinë që i kalon tej për tej, ne e quajtëm “galeria e antikeve”, sepse statujat dhe shenjat e qytetit të shkatërruar janë vendosur në të njëlloj si personazhe që lidhin vendet magjike të ishullit, dhe janë padyshim shenja të kësaj kujtese.
DRITA DHE HIJA, elementë frymëzues të kompozimeve tona, kthehen sëbashku në tematikën kyçe të projektimit të godinave të kultit, si përshembull në projektin e SALLËS SË LAMTUMIRËS (AULA DEL COMMIATO) dhe pothuajse gjithmonë, në rindërtimin e hapësirave të shkatërruara, si në rastin e KISHËS SË ISCHIA-s.
Në projektet e shkollave për fëmijet, mbizotëron tema e raportit që ekziston midis JASHTË DHE BRENDA: dhomat e dritës dhe ato të hijes, per krijimin e ATMOSFERAVE dhe hapësirave emocionuese.
TIPOLOGJI DHE MATERIALE konkretizohen në kompozimin e projektit “HYRJE NE PYLL” në pyllin me pisha të San Zeno-s në mal (San Zeno di Montagna): një rrugë/oborr që ripërshkron idenë e “kontradave” apo rrethinave tipike rurale të zonës, duke mikëpritur, edhe në përzgjedhjen e materialeve, hapësira të hapura, mënyra tradicionale këto të ndërtimit në këto anë. Dhe në projektin e zgjerimit të një pallati në REGENSBURG, në Bavari, TIPOLOGJIA e oborrit ngjall ndjesinë e një “hapësire teatrale” që ruhet në brendinë e pallateve të vjetra.
Një shembull i krijimit i një SKENOGRAFIE BRENDA HAPËSIRAVE REZIDENCIALE – ndoshta një nga aspektet më të vështira për t’u përcaktuar saktë nga ana projektuale në menyrën e sotme të të jetuarit – mund të jetë një nga projektet tona të ristrukturimit duke ndryshuar shfrytëzimim e hapësirës së një manastiri të vjetër në hapësirë rezidenciale. Protagonist bëhet një këmbanore e vjetër e ndriçuar brenda e jashtë prej kthjelltësisë së dritës zenitale përgjatë gjithë lartësisë së saj. Nën të, me shikimin drejtuar peisazhit, një vaskë e gjatë dhe e ngushtë uji, rikthen në kujtesë vaskat e vjetra rurale.

    

Jeni e apasionuar jo vetëm me projektimin arkitektonik dhe didaktikën, por duke u rikthyer tek kërkimi, një nga temat më të fundit është edhe ajo e rrëfimit të historive të ngjashme jetësore, histori të grave arkitekte.

Takimi me botën femërore ishte zbulimi i një universi magjepsës. Eksperienca u përmblodh në publikim e DONNARCHITETTURA, një koleksion profilesh të disa grave arkitekte: protagoniste plot hijeshi të së shkuarës dhe të tashmes, që janë ritreguar me veprat dhe mendimet e tyre.

Midis tyre, të diplomuarat e para, si e bukura Charlotte Perriand që pasi kaloi 10 vjet në studion e Le Corbusier arratiset në Lindje, ose “e xhindosura” Eileen Gray sepse po i njëjti Le Corbusier, guxoi të “perlyej” me një grafit murin e bardhë të shtëpisë së saj; duke vazhduar me Lilly Reich, deri tek Cini Boeri, Gae Aulenti dhe Gigetta Tamaro, autore të palodhshme.
E më pas disa figura bashkëkohore, të cilat lidhen me njëra-tjetrën nga një fije e padukshme që kalon përmes temës së “rindërtimit në hapësirat e ndërtuara”, që e gjejmë herë nëpërmjet një shkrimi dhe/ose herë nëpërmjet një vepre të realizuar prej tyre: temë që mbetet burimi ynë frymëzues.

Sot, tashmë prej dy vitesh, këto pasione, rrëfime dhe eksperienca, ju përcillen edhe studëntëve të degës së Arkitekturës në Univ.Kat.ZKM në Tiranë. Si e zbuluat dhe çfarë kuptimi mbart sot Tirana për M.G. Eccheli-n?

U njoha me Tiranën nëpërmjet temave kërkimore të studenteve të mija shqiptare; më intrigonte tek ky qytet një farë qëndrimi pezull midis lindjes e perëndimit, dhe pranova me kënaqësi ftesën e Dekanit të Fakultetit të Arkitekturës së Firences për të bashkëpunuar për Programin e Studimit në Arkitekturë në Univ.Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Tirana është një qytet kaotik, i vështirë për t’u përshkruar me fjalë: gjeneza e saj e ndërlikuar orientale, e deformuar dhe gati e fshirë nga shenjat e thella të italianëve e më pas e sovjetikëve; e fshehur më tutje nga një modernizim që mori jetë në Tiranë pothuajse vetëm me ngritjen e pashtershme të ndërtesave, nën diktimin e vlerave pasurore sesa të normave; për të vazhduar me kaosin e trafikut privat.
Megjithatë, në çrregullësinë e saj gati të marrë, Tirana është e gjallë dhe pulsuese, duke na përfshirë e bërë për vete në të mirë e në të keq!

Kam njohur arkitektë, të përgatitur në Itali e Shqipëri, ashtu si dhe të rinj (shumë dhe midis studentëve të mi) që kanë dëshirë të mësojnë, të punojnë e të ndryshojnë këtë qytet!