News

Shpërdorimi i ushqimit, një problem edhe shqiptar

Qendra Europiane e Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim (CESPIC), pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, organizon të hënën, më 4 dhjetor 2017, ora 10:00, tryezën e rrumbullakët të titulluar “Ligji italian kundër shpërdorimit të ushqimit dhe impakti mbi varfërinë”.

Në event do të diskutohet çështja e parandalimit të mbetjeve ushqimore për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të luftuar varfërinë. Në veçanti do të analizohet ligji i ri italian kundër shpërdorimit të ushqimit (n.166/2016), i cili pati sukses brenda një kohe të shkurtër që nga zbatimi i tij dhe që po shndërrohet në një model legjislativ në gjithë Europën.

Në fakt, menaxhimi i mbeturinave ushqimore përbën një sfidë urgjente për shumicën e vendeve në botë. Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë e Kombeve të Bashkuara (FAO) ka bërë të ditur se në Europë shpërdorohet rreth 40% e ushqimit, ndërkohë në mbarë botën rreth një e treta. Komisioni Evropian vlerëson se çdo vit në Bashkimin Europian shpërdorohen rreth 88 milionë ton ushqime, me një kosto prej 143 miliard euro. Për këtë arsye, BE krijoi një platformë lidhur me shpërdorimin ushqimor dhe mbeturinat, ku u përfshinë shtetet anëtare, por dhe aktorë privatë.

Italia u bë vendi i parë në BE që miratoi një ligj, që nxit kompanitë të dhurojnë për bamirësi ushqimet e pashitura. Deputetja e Parlamentit të Italisë, Maria Chiara Gadda vjen në eventin e organizuar nga CESPIC për të përshkruar sfondin, motivimin, përmbajtjen dhe arritjet e këtij ligji, që ajo inicioi në vitin 2016.

Por, a do të mund të aplikohet ky ligj edhe në kontekstin shqiptar dhe si mund të realizohet implementimi i tij?

Në këtë aktivitet të moderuar nga Prof. Raul Caruso, Drejtor i CESPIC do të referojnë rreth temës: Znj. Maria Chiara Gadda, deputete e Parlamentit të Italisë dhe nismëtare e ligjit, znj. Milva Ekonomi, deputete e Parlamentit të Shqipërisë dhe ish-ministre e Ekonomisë, z. Florjon Mima, deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe ish-ministër i Financave, z. Pietro Tafuni, drejtor i përgjithshëm i Conad Albania, z. Alban Zusi, president i Albanin Food Industry, znj. Wilma Verburg, presidente e Food Bank Albania, z. Arbër Hajdari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Fundjavë Ndryshje” dhe Prof. Giovanni Lagioia, dekan i Fakultetit të Ekonomisë UKZKM.

Përshëndesin inciativën Atë Daniele Bertoldi, President i Fondacionit ZKM, Prof. Bruno Giardina, Rektor i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Sh.T. Alberto Cutillo, Ambasador i Italisë në Shqipëri.

Eventi do të zhvillohet pranë Aula Magna-s të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Tiranë, si edhe do të transmetohet live streaming në facebook, në adresën Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë.