Pranimet ne Universitet

 I. Formulari Shprehje Interesi

Për t'u njoftuar me e-mail mbi të rejat rreth procedurave të pranimit në Universitetin Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" mund të shprehni interesin tuaj duke plotësuar formularin që gjeni në linkun e mëposhtëm : Shprehje interesi

Ose mund të konsultoni Forumin Pyetje të Shpeshta -FAQ (Frequently Asked Questions):

FAQ: Pyetjet më të shpeshta (Frequently Asked Questions)

II. Kriteret e pranimit në programet e Ciklit të I dhe në ato të integruara të Ciklit të II për vitin akademik 2019-2020:

Universiteti Katolik ‘‘Zoja e Këshillit të Mirë’’publikon njoftimet mbi kriteret dhe proçedurat e pranimit për shtetas të huaj jo-BE, viti akademik 2019-2020, për këto programe studimi :

III. Informacion i përgjithshëm

Për t’u pranuar në programet e studimit të Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" për vitin akademik 2019-2020, kandidatët duhet të:

  • Kenë përfunduar arsimin e mesëm dhe të jenë të pajisur me dokumentacionin ligjor të përfundimit të këtij niveli arsimor, Diplomën e Maturës Shtetërore, të lëshuar jashtë vendit në përfundim të arsimit të mesëm, të njohur nga qeveria shqiptare si dhe nga universitetet partnere.

  • Plotësojnë kriterin e notës mesatare të shkollës së mesme që përcaktohet çdo vit me Vendim të Këshillit të Ministrave. 

    Sipas V.K.M. nr. 295, dt. 10.05.2019 për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për vitin akademik 2019-2020, nota mesatare minimale për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, të jetë nota 6.5 (gjashtë pikë pesë).

    Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon:

    1. Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm;

    2. Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

    Për më shumë informacion ju lutemi të klikoni në linkun e mëposhtëm:

    VKM-295-date-10.05.2019 pdf

  • Nuk duhet të rezultojnë të regjistruar në universitete të ndryshme ose në programe të ndryshme studimi në të njëjtin Universitet, shqiptar apo të huaj, publik dhe/ose jopublik.

  • Kryejnë testimin e pranimit në gjuhën italiane pranë Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë". Për kandidatët e huaj jo-BE testimi i pranimit konsiston në:

    1. Përllogaritja e Mesatares së përgjithshme të shkollës së mesme - (30 pikë)

    2. Testim me shkrim në italisht, mbi njohuritë në Shkencat natyrore - (30 pikë) për programet e studimit në Mjekësi, Odontoiatri dhe Proteza Dentare, Infermieristikë, Fizioterapi, Farmaci.

    3. Test mbi njohjen e gjuhës italiane - (20 pikë).

Për programin e studimit ne Arkitekturë testimi me shkrim në gjuhën italiane i referohet njohurive të përgjithshme të fituara gjatë shkollës së mesme në lëndët si Histori, Përfytyrim Grafik, Matematikë, Fizikë.

Në bazë të pikëve të grumbulluara bëhet edhe renditja e kandidatëve në listën e meritës. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës.

Procedurat e pranimit në programet e studimit të Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" përcaktohen me Udhëzime të posaçme të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).


Pas udhëzimeve të MASR për vitin akademik 2019-2020, UNIZKM do të publikojë njoftimet e pranimit ku përfshihen informacione të detajuara mbi kuotat në dispozicion, kriteret e pranimit, procedurat dhe afatet për t’u regjistruar në testimet e pranimit, datat e testimeve, procedurat për regjistrimin e kandidatëve fitues.

Procedurat e pranimit të kandidatëve nga Republika e Kosovës, kandidatëve me origjinë shqiptare nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të ciklit të dytë, viti akademik 2019-2020

Sipas Udhëzimit n.17 dt. 30.07.2019 të Ministrisë së Arsimit, Sportiti dhe Rinisë, kandidatët nga Republika e Kosovës dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci aplikojnë pranë Universitetit Katolik ‘’Zoja e Këshillit të Mirë’’ deri në datë 30 Gusht 2019.

Kandidatët duhet të kenë përfunduar arsimin e mesëm dhe të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  • të jenë pajisur me dokumentacionin ligjor të përfundimit të arsimit të mesëm;

  • të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 295, datë 10.05.2019 të Republikës së Shqipërisë për vitin akademik 2019-2020, sipas të cilit nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, duhet të jetë e barabartë ose më e madhe se 6.5 (referuar sistemit arsimor shqiptar);

  • Kandidatët nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht më shumë se një program studimi në të njëjtin vit akademik, në universite publike dhe/ose jopublike, shqiptare dhe/ose të huaja.

  • duhet të kryejnë procedurën e njëvlershmërisë së diplomës së shkollës së mesme pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore të Republikës së Shqipërisë.

Kandidatët e kësaj kategorie mund të aplikojnë pranë Universitetit Katolik ‘’Zoja e Këshillit të Mirë’’ duke dorëzuar dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. Kopje të noterizuar të dokumentit të njëvlefshmërisë të diplomës së shkollës së mesme të lëshuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore që vërteton se diploma e arsimit të mesëm është njohur;
  2. Kopje të noterizuar në Republikën e Shqipërisë (dhe e përkthyer në gjuhën shqipe nëse është lëshuar në gjuhë të huaj), të diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave;
  3. Kopje e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti/pasaportë);
  4. Dy fotografi;
  5. Shtojcat që shoqërojnë Udhëzimin nr. 17 dt 30.07.2019.

Duke marrë parasysh numrin e kufizuar të kuotave për këtë kategori kandidatësh, aplikuesit mund t’i nënshtrohen seleksionimit në datën 2 Shtator 2019 sipas programeve të studimit për të cilat kanë aplikuar.

Për programet e studimit të Fakultetit të Mjekësisë, seleksionimi konsiston në një vlerësim të kombinuar të rezultateve të shkollës së mesme, njohurive të gjuhës italiane dhe njohurive në Shkencat Natyrore në gjuhen italiane.

Nuk do të zhvillohen testime pranimi për kandidatët që aplikojnë për programet e studimit në: Ekonomi Ndërmarrjeje, Farmaci, Arkitekturë. 

Për këto programe studimi renditja e kandidatëve do bëhet sipas mesatares së përgjithshme të shkollës së mesme, duke ndjekur rendin zbritës të këtij kriteri.

Tabela e kuotave të pranimit në programet e studimit të ciklit të parë dhe programet e integruara të ciklit të dytë për kandidatë nga Republika e Kosovës, kandidatëve me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci, Medvegja: 

Programi i studimit

Kuotat e pranimit

Ekonomi Ndërmarrjeje

5

Infermieristikë

2

Fisioterapi

2

Mjekësi

5

Odontoiatri dhe Proteza Dentare

5

Farmaci

5

Arkitekturë

5

Njohja e dokumentacionit të kandidatëve fitues, në këto programe studimi, mund të kryhet gjatë zhvillimit të semestrit të parë dhe përpara sezonit të parë të provimeve. Regjistrimi si student i kandidatëve fitues bëhet me rezervë, deri në përfundim të procedurës së njohjes së dokumentacionit shkollor të tyre.