News Farmacia

Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” organizon ditën e mërkurë, 07 shkurt 2018, ora 16.00, seminarin e titulluar: Objektiva të rinj dhe molekula të reja për farmakoterapinë e çrregullimeve të lidhura me autizmin”.

Aktiviteti është nismë e Departamentit për Vlerësimin Kimik –Toksikologjik dhe Farmakologjik të Barnave të Fakultetit të Farmacisë dhe të Departamentit të Shkencave Kirurgjikale të Fakultetit të Mjekësisë, UKZKM dhe bën pjesë në Ciklin e Seminarëve Ndërdisiplinorë UKZKM.

Do të referojë Prof. Marcello Leopoldo i Universitetit të Barit, ndërsa do të diskutojnë rreth temës, Prof. Roberto Perrone (Zv. Dekan i Fakultetit të Farmacisë UKZKM) dhe Dr. Fatmir Brahimi (President i Urdhërit të Mjekëve të Shqipërisë). Boshti kryesor mbi të cilin do referojë Prof. Marcello Leopoldo janë studimet e tij mbi farmakoterapinë e çrregullimit të Spektrit Autik (ASD Autism Spectrum Disorder, akronim nga gjuha angleze).

ASD-ja përfaqëson një nga sëmundjet më të përhapura në grupin e patologjive që prekin çrregullimet neuronale duke paraqitur një dëmtim të vazhdueshëm dhe të përsëritur, që lidhet me aftësinë sociale dhe komunikuese, sjelljen, intereresat ose aktivitetet e ngushta personale të individit. Janë të shumtë faktorët që ndikojnë në etiopatogjenezën e sëmundjes, duke përfshirë këtu faktorin gjenetik, epigjenetik, ambiental, dëmtime të sistemit imunitar, mosfunksionimin mitokondrial si edhe inflamacionin e fibrave nervore. Ndryshimet fenotipike midis pacientëve me ASD si dhe etiologia komplekse që karakterizon sëmundjen, kanë penguar zhvillimin e mëtejshëm të strategjive terapeutike në këtë fushë. Aktualisht, strategjitë për trajtimin e simptomave Core kanë për qëllim korrigjimin e çrregullimeve sinaptike, anomalive lidhur me qendrën e transmetimit të impulseve nervore të oksitocinës, vazopresinës, serotoninës si dhe të inflamacionit neuronal.  

Në përfundim janë parashikuar ndërhyrje apo pyetje nga pjesëmarrësit.

Aktiviteti do të zhvillohet tek Aula B107, pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Tiranë.