News/evente

Senatori italian, Pier Ferdinando Casini vizitoi dje Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

“Të gjithë e dinë seriozitetin e këtij universiteti” - deklaroi Casini. Por, duke iu referuar sistemit universitar në përgjithësi, senatori u shpreh se jo gjithmonë hapja e shumë universiteteve është pozitive për një vend. Shumimi i universiteteve shpeshherë nuk përkon me cilësinë" - tha ai.

Senator Casini është një ndër mbështetësit e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, që prej themelimit të tij në vitin 2004.

Më herët, Presidenti i Republikës Ilir Meta i akordoi Z. Pier Ferdinando Casini Dekoratën  “Nënë Tereza” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të personalitetit të tij të spikatur, si politikan që mishëron vlerat më të larta të parlamentarizmit, dialogut dhe demokracisë; një urë lidhëse e miqësisë së përhershme italo-shqiptare, përvoja dhe vizioni i të cilit kontribuan për forcimin e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë dhe mbështetës i vendosur i integrimit euroatlantik të Shqipërisë”.

“Një kontribut tjetër i vyer ka qenë mbështetja që zoti Casini i ka dhënë ndërtimit të Qendrës Spitalore Universitare dhe Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, që sot është ndër më të vlerësuarat në vendin tonë dhe ku studiojnë shumë studentë italianë”, – deklaroi Presidenti Meta.