News/evente

Risitë janë po aq të rëndësishme për një universitet, sa edhe edukimi akademik i studentëve. Për këtë arsye, Qendra Europiane e Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim (CESPIC), pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, organizoi tryezën e rrumbullakët të titulluar “Ligji italian kundër shpërdorimit të ushqimit dhe impakti mbi varfërinë”.

Në një panel të përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, u diskutua mundësia e hartimit të një ligji të ngjashëm dhe implementimi i tij në Shqipëri.

Aktualisht në Shqipëri, mbetjet ushqimore menaxhohen nga shoqata jofitimprurëse dhe fondacione, të cilët i vendosin ato në dispozicion të njerëzve në nevojë.

Por, rregullimi me ligj i kësaj veprimtarie po kthehet dita- ditës në domosdoshmëri, duke ndjekur hapat e vendeve europiane.  

Përpara auditorit, deputetja e  Parlamentit të Italisë Maria Chiara Gadda referoi mbi ligjin italian të mbetjeve, inisiatore e të cilit është vetë ajo.

Në këtë konferencë të moderuar nga Prof. Raul Caruso, Drejtor i CESPIC, dy deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, znj. Milva Ekonomi dhe z. Florjon Mima shprehën pikëpamjet e tyre. Ata u përballën midis tyre me argumente dhe kundërargumente konstruktive në lidhje me rolin e instancave shtetërore dhe sipërmarrjes: si të krijohen lehtësi fiskale për subjektet e interesuara në dhurimin e tepricave të produkteve, për të përmbushur objektivin e përbashkët për t’i ardhur në ndihmë shtresave në nevojë.

Rreth kësaj teme folën përfaqësues nga sipërmarrja, si z. Pietro Tafuni, drejtor i përgjithshëm i Conad Albania, z. Alban Zusi, president i Albanin Food Industry, Prof. Giovanni Lagioia, dekan i Fakultetit të Ekonomisë UKZKM dhe përfaqësues nga shoqëria civile:  znj. Wilma Verburg, drejtore ekzekutive e Food Bank Albania, z. Arbër Hajdari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Fundjavë Ndryshje”, të cilët më shumë sesa të tjerët përballen çdo ditë me situata të varfërisë së tejskajshme.