News Arkitektura

Gdhendja e gurit është një formë e njohur nga njerëzimi që nga lashtësia. Format e skalitjes kanë evuluar me kohës, që nga fillesat primitive, klasike dhe në ditët e sotme format bashkëkohore. Në kujtesën kolektive këto periudha sjellin ndër mend shkrimet në shpella dhe skulpturat e famshme të Rilindjes. Por, janë trajtat e reja të mermerit, si përfaqesuesi më fisnik i gurit, ato që sot kanë bërë revolucion. Mermeri: një material sa i çmuar, aq edhe i pazakontë kur i referohemi objekteve të arredimit të përditshëm.

Prof. Claudio Larcher, ambasador i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë për edicionin e dytë të Italian Design Day, i ftuar në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë" tregoi mbi risitë në përpunimin dhe përdorimin e mermerit në fushën e design-it. Sot, teknologjitë e reja robotike bëjnë të mundur krijimin dhe riprodhimin në masë të objekteve në mermer, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke evituar thyerjet dhe shpërdorimet e materialit.  

Disa prej punëve më të njohura të Larcher-it dhe bashkëpunëtorëve të tij, i përkasin një koleksioni me objekte mermeri të bardhë të Karrarës, të cilat kanë një “zemër teknologjike”. Koleksioni u frymëzua nga ideja për të gërshetuar një material të çmuar dhe klasik si mermeri me objekte teknologjike që gjejnë përdorim në përditshmëri, si: speaker bluetooth, orë dixhitale, karikues për celularin, etj.

Prof. Larcher ishte frymëzues për studentët e Arkitekturës UKZKM, të cilëve u këshilloi të mbeten në kontakt me botën e vërtetë dhe të mos përdorin vetëm kompjuterin: “Në fund, design-i mbërrin tek njerëzit, prandaj dhe duhet t'i kushtoni vëmendje ambjentit përreth”.