Profesoret

Fabrizio Baldassarre sapo është zgjedhur kryetari i bashkisë në Santeramo të Rajonit të Puglia-s. Ekonomisti italian është një ndër profesorët më të afirmuar të Universitetit Aldo Moro të Barit dhe, që prej vitit 2005 është anëtar i stafit akademik i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Prof. Baldassarre, i cili jep leksionet e lëndës “Ekonomi dhe menaxhim biznesi” në Fakultetin e Ekonomisë, karakterizohet nga një formë komunikimi që arrin lehtësisht tek të rinjtë dhe për këtë arsye ka qënë pjesë e stafit ZKM të angazhuar në këshillimin e karrierës.

 
Prof. Fabrizio Baldassarre gjatë një takimi mbi këshillimin e karrierës, Gjimnazi “Partizani"- Tiranë

Ai është njëkohësisht edhe ekspert në përzgjedhjen dhe vlerësimin e burime njerëzore, prandaj i kërkuam disa këshilla për studentët që synojnë të pozicionohen në tregun e punës.

  • Si të përgatisim një Curriculum Vitae – CV?

Prof. Fabrizio Baldassarre: Unë mendoj që CV-ja përfaqëson një “mjet” me të cilin duhet të pajiset çdokush që kërkon të pozicionohet në tregun e punës, duke qënë se kemi të bëjmë me një instrument të self-presentation (prezantimit të vetes), që ndihmon në shprehjen e profesionalitetit. Një nga detyrat bazë për të përgatitur kalimin drejt tregut të punës, që duhet të zhvillojë një student universitar, është angazhimi për mbledhjen e informacioneve mbi eksperiencat akademike dhe formuese të realizuara që në vitet e para të studimeve. Por, ka raste kur një kandidat edhe pse i plotëson të gjitha kushtet e kërkuara për një pozicion pune, nuk përzgjidhet. Përzgjedhësi duhet të gjejë “profesionistin që kërkon” menjëherë gjatë leximit të CV-së, përndryshe të gjithë aftësitë e juaja do të mbeten të pazbuluara. Është e domosdoshme të nxirrni në pah karakteristikat tuaja, të cilat i përshtaten pozicionit të punës që synoni në një kompani. CV nuk mund të jetë një produkt standard dhe statik, por duhet të rinovohet dhe përshtatur here pas here. Kujtoni që një kurrikulum efikas duhet: të krijojë një përshtypje në favorin tuaj, të stimulojë interesin dhe të tërheqë vëmendjen mbi aftësitë që keni, të ketë parametrat e duhur grafikë dhe formalë, të bindë që ju jeni kandidati më i mirë.

Pavarësisht nga ajo që besohet, një CV nuk është thjesht një renditje e titujve apo eksperiencave të punës, që mund të plotësohet duke pasur për bazë modelet e ndryshme që gjenden online. Të shkruash një CV do të thotë të prezantosh veten, nga pikëpamja e aftësive personale, eksperiencave të punës, objektivave dhe interesave profesionalë, në një mënyrë tërheqëse, realiste, të plotë, por domosdoshmërisht të përmbledhur.

  • Si të përballemi me një intervistë pune?

Përballja me një intervistë punë nuk është gjithmonë e thjeshtë. Brenda pak minutave, duhet të krijoni një përshtypje pozitive, të tregoheni profesional, të aftë, por edhe të nxirrni në pah  personalitetin, karakterin dhe vlerën tuaj të shtuar, aspekte që mund t’ju veçojnë nga kandidatët e tjerë. Por, cilat janë këshillat për t’u prezantuar sa më mirë në një intervistë pune?

  1. Natyrshmëria - tregohuni vetvetja dhe përballeni intervistën me personalitet dhe siguri, për t’u dalluar nga të tjerët.
  2. Një intervistë punë është njësoj si “të bëni dikë për vete”. Nuk duhet të luteni dhe të tregoni që keni nevojë për atë punë.
  3. Reputacioni në rrjetet sociale vlen shumë. Kujdesuni për reputacionin tuaj dixhital, bëni  kujdes me imazhet dhe komentet në rrjetet sociale. Nëse keni pasione, bëni vullnetarizëm dhe eksperienca të tjera interesante, shënojini! Ato shërbejnë për të treguar se jeni mendjehapur dhe keni aftësinë për t’u socializuar me të tjerët.
  4. Vetëvlerësimi, pa e kaluar masën. Mos u tregoni të pasigurtë dhe mos gënjeni. Nënvlerësimi dhe mbivlerësimi janë gabimet më të shpeshta që bëhen gjatë intervistave të punës.
  5. Profesionalizmi. Informohuni mbi punëdhënësin tuaj të ardhshëm. Një hulumtim i vogël paraprak mund t’ju ndihmojë dhe t’ju shërbejë për të vënë në dukje pikat tuaja të forta në një intervistë pune.
  6. Edhe paraqitja ka rëndësinë e saj. Kuroni pamjen tuaj të jashtme (outfit) pa ekzagjeruar. Zgjidhni veshje me të cilat ndiheni komodë dhe të sigurtë, të cilat vejnë në dukje profesionalizmin tuaj.
  7. Pyesni, pyesni, pyesni. Mos ngurroni të bëni pyetje nëse keni paqartësi dhe dyshime për të kuptuar më tepër rreth pozicionit të punës për të cilin konkuroni. Kurioziteti është sinonim i zgjuarësisë, cilësi që vlerësohet gjithmonë nga rekrutuesit.
  8. Kujdesuni për rrjetin (networking). Një rrjet marrëdhëniesh sociale ju ndihmon jo vetëm në fazën e kërkimit, por edhe gjatë intervistave të punës.
  9. Po ju a dëshironi të keni informacion shtesë lidhur me këtë pozicion pune?”... është një pyetje e papritur, që mund t’i drejtohet kujtdo. Sugjerojmë të përgatisni një përgjigje bindëse, duke patur parasysh që nuk ka përgjigje të drejta apo të gabuara, por që punëdhënësit testojnë sesi kandidati përballon situatat e paparashikuara.