Profesoret

Giacomo Tempesta ( me kitarrë në të majtë të fotos),The Savages   1967, jazz në Santa Croce - Firence!
Giacomo Tempesta ( me kitarrë në të majtë të fotos),The Savages 

“Isha student dhe luaja jazz me grupin “The Savages”. Bënim muzikë në sheshet kryesore të Firences dhe nëpër festa”.
Sepse muzika si formë arti nuk mund të sinkronizohet më bukur sesa në Firence, qytetin e Rinascimento-s (Rilindjes), qytetin e Michelangelo-s dhe Dante Aligheri-t, qytetin e Brunelleschi-t, të cilin e studioi në vitet në vijim.
Giacomo Tempesta, është profesori që shumëkush e ka ndeshur dhe përshëndetur në ambjentet e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë". Është profesori i arkitekturës, të cilin kur e dëgjon kupton se arkitektura është jeta e tij, por zbulon se muzika ka shënuar një pjesë të rëndësishme të rinisë.
Shkrimtari gjerman Goethe e perifrazonte arkitekturën si muzikë të ngrirë. Të pakët janë ata që nuk kanë dëgjuar jazz. Është muzika që padyshim ka konstruktin e saj, njësoj si format arkitektonike. Shpesh vjen nëpërmjet improvizimit, notat nga të qeta, rriten (crescendo) dhe më pas tingujt shndërrohen në një furtunë (furtunë = tempesta). Ashtu si u shndërrua interesi i Giacomo Tempestës nga melodia në krijimin e skicave.
Prof. Tempesta jep lëndën “Bazat e Mekanikës së strukturave” për studentët e Arkitekturës UKZKM. Ka përfunduar studimet e larta për arkitekturë me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Firences, ku sot është profesor.
Historia e tij është më pak e zakontë sesa ajo e një arkitekti tipik. Lënda dhe fusha profesionale e Prof. Tempestës lidhen më shumë me studimet inxhinierike. Siç thotë ai, disa takime në jetë të lenë shënjë dhe të ndryshojnë këndvështrim për të ardhmen.
“ Prof. Di Pasquale me të cilin u njoha në vitin e tretë të studimeve ishte një arkitekt që jepte një lëndë tipike të inxhinierisë. Ai ishte profesori i parë italian arkitekt që jepte leksione mbi lëndët e stukturave. Unë dhe disa prej kolegëve të mi u bëmë dishepujt e tij. Mund të isha bërë dizenjues, por zgjodha të bëhesha arkitekt i strukturave, i interesuar për aspektin e tyre kulturor. I sapo diplomuar, Prof. Di Pasquale më kërkoi të isha asistenti i tij në universitet dhe patëm mundësinë të punonim mbi kupolën e Brunelleschi-t*. Kjo më dha frymëzimin për të punuar më pas me ndërtimet historike dhe monumentale, të cilat në Itali kanë rëndësi të veçantë”.
Përveçse studiues i kupolës së Firences, Prof. Tempesta është studiues, referues dhe hartues i disa botimeve mbi struktura të tjera të panoramës botërore, si: Katedralja e Santiagos (Havana, Kubë), Katedralja e Parmës, Amfiteatri Flavio i Pozzuoli-t (Napoli), parku i Populonia-s (Rajoni i Toskanës), Muzeu i Xhamit në Empoli, “Palazzo della Fonte” në Arezzo, etj.
I apasionuar pas pikturës, njësoj si për kitarën, gjatë kohës së lirë, Giocamo Tempesta punon në vaj. “Ideoj figura njerëzore, por jo portrete”- përcakton ai. Ka nisur të pikturojë në vaj që në moshën katër vjeçare, por ka refuzuar që të bëhej artist, sepse sipas tij artist lind, nuk bëhesh.

Giacomo Tempesta ( me kitarrë në të majtë të fotos),The Savages   1967, jazz në Santa Croce - Firence!
Prof. Giacomo Tempesta sot në UKZKM (në të majtë të fotos)

Me këtë background, nuk kishte sesi prof. Tempesta ta shihte arkitekturën në një drejtim të vetëm, atë populist: “Në Shqipëri, programi Arkitekturës mund të zhvillohet në dy ose tre drejtime, ndër të cilat më i rëndësishmi është restaurimi i ndërtimeve monumentale. Sepse kultura e restaurimit, që ne profesorët e Universitetit të Firences sjellim, është një kulturë shekullore që vështirë gjendet në anët e tjera të botës”.

Koncepti që Prof. Tempesta synon që të përvetësohet nga studentët e UKZKM-së është kultura e restaurimit, jo vetëm si formë zbrukuruese e jashtme, por që mbështetet mbi studimin e materialeve e teknikave dhe rekuperimin nëpërmjet përdorimit të materialeve të ngjashme, pa tjetërsuar strukturën.

Duke ju referuar studentëve, Tempsta shprehet se: “Ndjeshmëria është elementi më i rëndësishëm. Vetëm kush e mbart atë, përparon”.  

*Filippo Bruneleschi, arkitekt dhe inxhinier fiorentin, projektues i Kupolës së Duomos së Firences, që mbetet edhe sot kupola më e madhe në botë e ndërtuar në tullë.  

Artikuj mbi punën e Prof. Giacomo Tempesta:

http://www.informarezzo.com/permalink/19512.html 
http://www.museodelvetrodiempoli.it/ 

Shkarko CV