Profesoret

“Objektivi është: të përgatisë të diplomuar me aftësi dhe kompetenca projektuese në sektorin e arkitekturës dhe të transformimit të ambienteve, duke krijuar një figurë arkitekti sipas standarteve dhe direktivave europiane.”

Programi i Studimit në Arkitekturë është pika e fortë e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Ata që bëjnë ndryshimin janë profesorët më të mirë të Arkitekturës, të cilët vijnë prej Universitetit të Firences, i themeluar në fillim të viteve 1300.
Prof. Ulisse Tramonti është njëri prej këtyre emrave të njohur të botës akademike, që vjen nga Firence në Tiranë për të dhënë mësim në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”. Profesor i lëndës Laboratori i Projektimit të Arkitekturës 2, Tramonti ka një karrierrë të shkëlqyer jo vetëm si docent, por edhe në fushën kërkimore e projektuese.
Prof. Ulisse Tramonti është autor i shumë publikimeve, promotor, drejtues dhe relator i konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare, kurator ekspozitash në fushën e arkitekturës, si edhe fitues i konkurseve të rëndësishme ndërkombëtare mbi projektimin arkitektonik dhe urban.
Në intervistën mëposhtë, Prof. Tramonti rrëfen lidhjet me Shqipërinë, studentët shqiptarë dhe çfarë e tërheq më tepër në planin arkitektonik në vendin tonë.


Intervistë


1. Prof. Tramonti, ju ndodheni në UniZKM tashmë prej disa kohësh, por lidhjet tuaja me Shqipërinë janë më të hershme se kaq. Duke parë dokumentimet tuaja, kuptova se si në rolin e kërkuesit keni shkruar mbi “Gjurmët e Italisë në Shqipëri”. Çfarë ju ka intriguar kaq shumë në Shqipëri?


Kam shkruar mbi arkitekturën italiane në Shqipëri që nga koha kur u bëra profesor me kohë të plotë, i asaj pjese të arkitekturës që studion kohën midis dy luftrave. Më pas fitova një bursë studimi nga Ministria e Jashtme në Itali mbi projektin për qytetin e Shkodrës, “Waterfront Scutari”. Që nga ky moment nisa të vija në Shqipëri. Kisha dijeni për këtë lloj arkitekture, por nuk e kisha parë nga afër më parë. Prandaj në vitin 2011 vendosa sëbashku me një kolegun tim të Historisë së Arkitekturës, Prof. Ezio Godoli, të realizonim një konferencë mbi arkitektët italianë në Shqipëri. Sëbashku me Prof. Godoli merremi me arkitekturën italiane në Mesdhe dhe kemi bërë një projekt mbi arkitektët italianë në Algjeri, në Egjipt dhe në Turqi sepse arkitektët italinë prej 1800 e deri në fund të 1930 kanë projektuar në të gjithë Mesdheun. Në vazhdën e kësaj studiojmë edhe arkitekturën italiane në Shqipëri.
Në vitin 2011 kemi realizuar një tjetër konferencë në Tiranë të titulluar “Sheshi Nënë Tereza”, ndërsa më pas, Ambasadori Italian i kohës Dr. Gaiani, shprehu dëshirën për të krijuar një ekspozitë të madhe mbi arkitektët italianë në Shqipëri. Me ndihmën e tij, në fund të vitit 2014, në pika të ndryshme të Tiranës, si tek Univeristeti Politeknik, Kryeministria, Galeria e Arteve; hapëm ekspozita, të cilat patën shumë sukses dhe ku qytetarët e Tiranës qëndronin në rradhë për t’i parë, ndërsa për ne ishte kënaqësi e madhe. Më vonë kam kryer një doktoraturë dy-vjeçare në Universitetin Politeknik të Tiranës, mbi arkitekturën e periudhës socialiste, një argument që vë re që për shqiptarët është ende herët për ta trajtuar. E njëjta situatë u shfaq edhe në Itali pas rënies së fashizmit dhe që u pasua me rrënimin e gjithçkaje që lidhet me atë kohë. Por unë mendoj se kjo është e gabuar, pasi fundja ajo është historia e një populli. Në fakt edhe në Shqipëri unë jam shprehur kundër shkatërrimit të Piramidës.


2. Keni realizuar kërkime në shumë vende të botës, por edhe në shtetet e Europës Lindore. Në ndryshim nga Bukureshti apo Sofia, qytete të caktuara të Shqipërisë si Tirana, Durrësi dhe Shkodra mbartin edhe sot gjurmët e stilit arkitektonik italian. Cili është vlerësimi juaj mbi këtë panoramë dhe çfarë mënyre ja përcillni studentëve këto vlera?

Në bashkëpunim me Bashkinë e Forlì- së, në vitin 2011 keni fituar një financim të madh europian për të realizuar një prezantim apo një “Tur kulturor” të vendeve të Europës Juglindore, që kishim kaluar regjimin totalitar, si komunizmin apo fashizmin. (Transnational Cooperation Programme South East Europe ; 2011-2013).
Ndërtuam një rrjet, ku bënte pjesë edhe Shqipëria dhe që kalonte nga Italia, Shqipëria, Greqia, Bullgaria dhe që mbyllej me Kroacinë, Slloveninë, Hungarinë. Pas një pune tre- vjeçare intensive, por edhe të lodhshme, Këshilli i Europës na njohu si “Itinerari Kulturor Europian nr.33”. Në vijim u pa e nevojshme themelimi i një shoqate për të drejtuar punimet e këtij projekti, në të cilën jam Kryetar i Bordit Shkencor. Që prej dy muajsh, Tirana u bashkua në këtë projekt për zhvillimin turistik, për njohjen arkitektonike të viteve ‘900 dhe për ta ruajtur atë.
Por fatëkeqsisht, ju në Tiranë po i shkatërroni, ashtu siç ndodhi me stadiumin “Qemal Stafa”. Në fakt për shqiptarët është akoma herët që të ndryshojnë mendim lidhur me periudhën komuniste. Por, unë mendoj se duhet të kuptoni që tradita juaj arkitektonike dhe kulturore është e shkruar tashmë dhe kësaj tradite i përket dhe arkitektura italiane e viteve 1930- 40, ashtu siç është qëndra juaj historike, pasi tashmë trashëgiminë e qytetarisë otomane e keni shkatërruar. Kur bëra këtë projekt ndërkombëtar vendosa që t’i njihja studentët e mi me të gjithë tipologjitë e periudhës otomane, pasi më duken të mrekullueshme. Rrugët me kalldrëm, si pjesë e asaj periudhe nuk ekzistojnë më në Tiranë.




3. Pas një eksperience shumëvjeçare në fushën kërkimore, hartimin e projekteve, pjesmarrjen në konkurse ndërkombëtare, si edhe pasi keni prekur universitetet më të mira europiane; përse zgjodhët Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe si e shikoni këtë eksperiencë?

Unë kam patur gjithmonë dashamirësi për studentët shqiptarë dhe kam njohur shumë prej tyre ndër vite si profesor në Firence. Studentët shqiptarë që vijojnë studimet në Itali janë shumë të zotët, këmbëngulës. Kam bashkëpunuar me studentët tuaj në Itali mbi temat e diplomimit për Shqipërinë, aq sa sëbashku me Ark. Elva Margaritin, Koordinatore e Programit në Arkitekturë UKZKM, dëshirojmë të realizojmë një ekspozitë me temat e diplomimit realizuar në Universitetin e Firences, që kanë në qendër Shqipërinë.
Gjeta këtu në UKZKM të njëjtën këmbëngulje e motivim tek studentët dhe jam optimist në krijimin e një brezi të ri në Shqipëri.

Curriculum : http://www.unifi.it/p-doc2-2015-0-A-2b303529372b-0.html