Profesoret

Profesor Ernesto Alicicco!
Ky është emri që të përmendin të gjithë në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, kur kërkon të njohësh më tepër rreth fizioterapisë.
Natyrisht, në fillim mendon se do të takosh një mjek me shumë eksperiencë, por kur e takon nga afër Profesor Alicicco, të hapet një botë krejt e re, e panjohur.
I diplomuar në kimi - farmaci, mjekësi, i specializuar në physiatry (mjekësia fizike dhe rehabilitimi), endokrinologji, në mjekësi sportive dhe si traumatolog, Prof. Alicicco është sot Përgjegjësi i Qendrës së Terapisë dhe Mjekësisë Sportive në Qëndren Spitalore Universitare “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Profesori punon nga 15 deri në 20 ditë në muaj në Shqipëri dhe pjesën tjetër të kohës e kalon pranë pacientëve të tij në kryeqytetin italian, Romë. Në UKZKM, Prof. Alicicco mëson studentët e vitit të tretë, të cilët bëjnë praktikën mësimore në Klinikën e Fizioterapisë. Pas kësaj periudhe, të diplomuarit kanë mundësi të ndjekin pranë UKZKM, Master Shkencor “Shkencat Rehabilituese të Profesioneve Shëndetësore”, si dhe Master Profesional “Menaxhim për Funksionet e Koordinimit”.

“UKZKM do të bëhet një nga universitetet më të mëdha të Ballkanit - thotë Profesor Ernesto Alicicco, – sidomos me ndërtimin e spitalit të ri të Universitetit.”


Ai ndjek nga afër edhe pacientët që nga vizitat mjekësore e deri tek terapia fizike, rehabilitimi pediatrik dhe hidrokineziterapia. Madje pranë Qëndres së Fizioterapisë ndiqen edhe fëmijë, duke qenë se terapistët janë të specializuar për çdo grupmoshë e në çdo sektor.

Por, Professor Alicicco është i famshëm edhe për dashurinë e tij ndaj sportit, sidomos ndaj futbollit. Sapo takohesh me të, ai fillon të rrëfejë plot pasion për ekipet ku ka luajtur futboll dhe aty ku ka punuar.

Pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar si mjek zyrtar i klubit të “A.S Roma” në Itali, nga 1978 deri në vitin 2002. Ende sot, fansat apo miqtë i dërgojnë mjekut të famshëm sportiv, fotografi të viteve të shkuara, ku ai ka qenë protagonist. Ashtu sikurse fotografia me legjendën e viteve ’80 të ekipit të Romës, Paulo Roberto Falcão.

Fotografia tjetër i përket një dite të ftohtë dhjetori të vitit 1989, gjatë ndeshjes Bologna – Roma.

“Ende dridhem kur e kujtoj atë ditë” - thotë doktor Ernesto.
“Temperatura ishte minus 12 Gradë dhe ndeshja sapo kishte filluar, kur futbollisti i ekipit tim Lionello Manfredonia pësoi atak kardiak prej të ftohtit”, rrëfen ai.
Në foton e mësipërme shfaqet momenti kur doktor Ernesto po kryen frymëmarrjen artificiale, një ndërhyrje që më pas i shpëtoi jetën lojtarit të Romës.

Por, më herët Prof. Alicicco punoi edhe pranë klubit tjetër të kryqyteti italian “Lazio”, tek ekipi i të rinjve, ku qëndroi për 10 vjet, por edhe pranë klubit të Breshias për rreth 3 vite dhe ku u kujdes për lojtarë të tjerë të famshëm të futbollit si Roberto Baggio.

Dhe ka qenë pikërisht dashuria e tij për futbollin, që e drejtoi në moshë të re drejt mjekësisë sportive.

Duke qenë se në rininë e tij, Profesor Ernesto e provoi fushën e gjelbër si lojtar profesionist si zëvendësportier i ekipit të Lazios dhe në serine C si titullar me ekipet e Chietit, Sienës dhe Parmës, ai kuptoi pikërisht aty rëndësinë që kishte roli i mjekut sportiv.

“Në kohën kur unë luaja futboll, mjeku pothuajse nuk ishte asnjëherë i pranishëm kur e kishim nevojë”, shprehet Alicicco. “Ishte kjo arsyeja që vendosa të specializohesha si mjek sportiv”, thotë ai.

Sot, pranë UKZKM, Profesor Ernesto Alicicco kujdeset ndër të tjera edhe për ekipin e futbollit të Universitetit. Gjithashtu, pranë klinikës së fizioterapisë vizitohen edhe futbollistë profesionistë të klubeve shqiptare.

Dhe kur e pyet se nga i buron gjithë kjo energji, për të ndjekur në hapat drejt të ardhmes terapistët e rinj dhe për të prekur nga afër pothuajse të gjithë pacientët e klinikës, Prof. Alicicco tregon se sekreti është pasioni. Ndërsa eksperienca ndër vite është kyçi që të çon drejt suksesit, shton ai. Një sukses që dëshiron ta ndajë edhe me të gjithë stafin, që nga Rektori, Dekani dhe Shefat e Departamenteve të Univerisitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, të cilët i vlerëson si profesionistë të zotë e të suksesshëm.