Ish Studente

Fizioterapia është profesion modern me mjaft impakt social. Vetëm në dekadën e fundit, shqiptarët u njohën me fizioterapistin, figurën e re profesionale në fushën e shëndetësisë. Por, si e kuptojnë shqiptarët rolin e fizioterapistit?
“Shqiptarët i drejtohen fizioterapistit vetëm kur dhimbja ka përparuar në fazë akute ose kronike. Këto janë të dhëna të faktuara nga kërkimi shkencor, që e kam drejtuar unë dhe për të cilin kam shkruajtur në temën e diplomimit” – rrëfen Anxhela Plaka.
Ish studentja e Fizioterapisë të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” u diplomua vitin e kaluar me një temë eksperimentale me titull “Rehabilitimi i pacientit me protezë në gju pas ndërhyrjes, realiteti shqiptar në menaxhimin e pacientit me protezë”. Të dhënat e mbledhura e të përpunuara tregojnë që shumica e pacientëve, pas nderhyrjes kirurgjikale, nuk marrin në konsideratë proçesin e rehabilitimit post operacion duke kompromentuar riaftësimin e plotë të gjurit.
Panoramë tjetër shfaqet në Itali, ku sipas Institutit të Statistikave (ISTAT), fizioterapia renditet si një ndër 27 profesionet më të kërkuara. Sëbashku me binjaken e saj Adilen, e cila studion gjithashtu për Fizioterapi në UKZKM, Anxhela ka kaluar fëmijërinë në Itali.

“Një problem i kaluar shëndetësor dhe kontaktet me mjekët, më influencuan të mendoja për studimet universitare një degë të mjekësisë. Dëshiroja të isha në kontakt të vazhdueshëm me pacientët, prandaj zgjodha fizioterapinë” – thotë Anxhela. Universiteti Katolik ZKM është i pari institucion i arsimit të lartë në Shqipëri që hapi programin e studimit në Fizioterapi që prej vitit 2004, duke zyrtarizuar këtë profesion të ri dhe duke u kthyer në shëmbull për institucione të tjera të arsimit të lartë. Pika e fortë e programit të studimit është praktika e përditshme. Studentët, që prej vitit të parë ushtrohen në Qendrën e Rehabilitimit dhe Mjekësisë Sportive, e para strukturë që kryen trajtime rehabilituese të pacientit në bazë të protokollit përkatës.

 

Anxhela përmend të gjithë docentët italianë dhe shqiptarë, në veçanti tutorin që e ka mbikqyrur gjatë praktikës, Florian Spada – edhe ai ish student i UKZKM-së: “Flori më ndihmoi të kapërceja ndrojtjen që karakterizon çdo student në kontaktet e para me pacientët”.
Sot fizioterapistja e re është profesioniste e lirë, pas disa eksperiencave në struktura private. Ajo e sheh të ardhmen midis Shqipërisë, Italisë dhe pse jo, vendeve të tjera të Bashkimit Europian, ku i njihet diploma përbashkët e lëshuar nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universiteti i Romës “Tor Vergata”.