Ish Studente

Është vetëm 25 vjeç dhe ka ngritur biznesin e saj! Rona Nushi, ish studente e Fakultetit të Farmacisë në UKZKM  i përfundoi studimet një vit më parë. Më herët se të diplomohej, Rona nisi të prodhojë produkte kozmetike.

“Nisa të kërkoja në treg një krem për fytyrën, por nuk arrita të gjej asnjë produkt që të kishte karakteristikat sipas nevojave të lëkurës time. Mungesa në treg dhe nevoja ime, më shtynë të krijoja një përzierje galenike AD HOC”.

  
E pikërisht, ajo nevojë e momentit shënoi për Ronën aventurën e re të saj si sipërmarrëse. Ajo filloi të përgatisë produkte kozmetike të personalizuar dhe klientet e para ishin shoqet e saj. Rritja e kërkesave për produkte  dhe zgjerimi i klientelës e çuan të renë e lindur në Pejë të Kosovës të projektonte një linje të vërtetë dhe të plotë kozmetike BIO.

 
Rona ndjek vetë të gjithë zinxhirin e prodhimit, që nga kërkimi i furnizuesve të lëndës së parë brenda dhe jashtë Shqipërisë, krijimi i amballazhimit dhe i logos, e deri tek shpërndarja e produkteve të saj në farmacitë e Shqipërisë dhe Kosovës.

          

Prej 4 muajsh, ish studentja e UKZKM-së ka hapur një dyqan “Bees & Trees Bio Cosmetics” në një prej qendrave tregtare të Tiranës. Tregton 18 produkte, të gjitha BIO. Linja e prodhimit  përmban: kremëra hidratues për fytyrën (dite dhe nate), krem për sytë, krem anti rudhë , anti akne, krem mbrojtës ndaj diellit për fytyrën dhe trupin, tonikë fytyre sipas llojit të lëkurës, larës fytyre, serum për shenjat e lëkurës (zbardhues dhe rigjenerues), zbutës për buzët, si edhe vajra esencialë të llojeve të ndryshme.

Rona shprehet se praktika laboratorike e zhvilluar në UKZKM dhe gjatë periudhës së stazhit në Itali nën kujdesin e Universitetit të Milanos, ishin të domosdoshme për formimin e saj profesional.

Kujtimi më i bukur në universitet është i lidhur me leksionet e Prof. Luca Palugan , i cili arriti të ndërtojë një dialog më pak zyrtar me studentët dhe mbi të gjitha nuk u mundua asnjëherë të impononte mendimin e tij.  

Diploma e dyfishtë (Double Degree) e lëshuar nga këto dy institucione do t’i lejojë Ronës,  të pozicionohet pse jo edhe në tregun europian të kozmetikës. Kjo diplomë në farmaci do t’i garantojë gjithashtu operimin në tregun shqiptar, edhe kur industria e kozmetikës të rregullohet me ligj.