Cikli i trete

Master në Implantologji dhe Proteza Dentare

Masteri në “Implantologji dhe Proteza Dentare” vjen si bashkëpunim institucional dhe akademik mes Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universitetit të Romës “Tor Vergata” dhe përfaqëson një veprimtari akademike të nivelit evropian, të finalizuar me një diplomë të përbashkët, që do të lëshohet nga të dy Universitetet njëkohësisht. Aktivitetet mësimore zhvillohen në gjuhën italiane, nga një staf akademik i përbërë nga docentë të universitetit të Romës “Tor Vergata”, docentë nga Universitete të tjera italiane dhe nga ekspertë të brendshëm dhë të jashtëm të Universitetit me eksperiencë të gjerë profesionale në fushat përkatëse.

Qëllimi i masterit është që t’u përgjigjet nevojave specifike të azhurnimit kulturor dhe shkencor në fushën e teknikave moderne të rehabilitimit implantoprotezik. Për larminë e argumentave të trajtuar dhe për kompetencat e larta të Relatorëve, masteri përfaqëson, në kuadrin ndërkombëtar, një mundësi të rëndësishme të pasurimit formues në dispozicion të stomatologëve.

Objektivat formuese

Masteri profesional në “Implantologji dhe Proteza Dentare” ka si objektiv të ofrojë një formim cilësor për administrimin e një rasti klinik, që nga diagnoza deri tek programimi dhe zbatimi i një plani trajtimi implantar kirurgjik të avancuar, duke i përgatitur në menaxhimin e rasteve klinike sipas teknikave të ndryshme implantoprotezike, vështirësive të ndryshme kirurgjike, duke përdorur aparatura, metodologji dhe materiale të teknologjisë së fundit.

Programi

Në vitin e I-rë do të trajtohen argumentet: anatomia topografike dhe kirurgjike, biomekanika implantare, tipologjitë implantare, implantologjia me ngarkesë të menjëhershme, biomaterialet e gjeneratës së fundit, menaxhimi i pacientit, planifikimi i trajtimit, menaxhimi kirurgjik i rasteve të thjeshta (teknikat e anestezisë, llojet e lembove, përgatitja e vendit implantar, vendosja e vidës implantare, teknikat e suturimit, rigjenerimi kockor i drejtuar, membranat dhe materialet për rigjenerimin kockor), finalizimi protezik i rasteve të thjeshta.

 

Në vitin e II-të do të trajtohen argumentet: Marrja e masës në mënyrë dixhitale, kirurgjia piezoelektrike, kirurgjia e ndihmuar nga programet kompjuterike, menaxhimi kirurgjik i rasteve të ndërlikuara (prelevim kockor autolog, ngritje e sinuseve, split crest, menaxhimi i indeve të buta perimplantare), finalizimi protezik i rasteve të ndërlikuara, menaxhimi i ndërlikimeve, menaxhimi me afat të gjatë i punimit implanto-protezik.