Kerkime Shkencore

Autorët;

Ilir Pecnikaj (1), Elona Shahu (2), Ederina Ninga (2)

(1) Departmenti i Vlerësimit Kimik, Toksikologjik e Farmakologjik i Barnave, Fakulteti i Farmacisë, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Rr. D. Hoxha, Tiranë, Shqipëri

(2) Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Rr. A Moisiu 82, Tiranë, Shqipëri

Ekspozimi i popullatës ndaj kadmiumit (Cd) dhe plumbit (Pb) në produktet ushqimore mund të prodhojë efekte të dëmshme në organe të tilla si; veshkat, mëlçia, mushkëritë, sëmundje kardiovaskulare, deformim të sistemit imun dhe të atij riprodhues. Cd dhe Pb janë identifikuar si kancerogjen tek njerëzit, dhe si të tillë, monitorimi i hershëm i tyre është i një rëndësie të veçantë për shëndetin publik. Aftësia për të dokumentuar ekspozimin dhe marrjen e këtyre elementëve përmes monitorimit të produkteve ushqimore është një hap i mirë për parandalimin e këtyre efekteve në shëndetin e popullatës [1]. Monitorimi përfshin një periudhë tre vjeçare (2013-2015), ku marrja e mostrave ka qenë në zona të ndryshme të Shqipërisë. Objektivi ynë ishte monitorimi i akumulimit të Cd dhe Pb në veshkat e bagëtive të imëta. Ne zgjodhëm bagëtitë e imëta për dy arsye kryesore; e para, për shkak se produktet dhe nën-produktet e kësaj familjeje janë shumë të përdorura si ushqim në kulturën e gatimit të popullsisë, dhe e dyta, për shkak se ato janë kafshë migratore dhe si të tilla mbulojnë një zonë të madhe (nga niveli i detit në dimër deri rreth 2000 m mbi nivelin e detit në verë). Përcaktimi i këtyre dy elementëve është kryer në përputhje me normat e Komunitetit Evropian [2]. Gjatë gjithë kësaj periudhe monitorimi kemi patur vetëm dy raste që kalojnë këto limite [3], një për Cd dhe tjetra për Pb. Një analizë më e hollësishme, për të kuptuar më mirë shkaqet e rezultateve të tilla, do të zhvillohet në laboratorin tonë.

Një kërkim “in silico” për inhibitorë aktivë ndaj Mycobacterium tuberculosis pantotenat sintetazës” (MTPS) me mundësi përdorimi terapeutik kundër tuberkulozit

Në ditët tona shkaktari i tuberkulozit, mycobacterium tuberculosis, infekton përafërsisht dy miliard njerëz. Kjo është një nga sëmundjet më të rrezikshme që mund të shkaktohet nga një bakter patogjen dhe rrezikshmëria shtohet edhe si rrjedhojë e një terapie shumë të vështirë dhe lindjes së rezistencës ndaj antibiotikëve, sikurse dhe raportohet kohët e fundit.

 

Fatmirësisht ekzistojnë disa strategji potenciale të cilat mund të shfrytëzohen për të zbuluar e sintetizuar molekula më të mira dhe efektive kundër këtij patogjeni. Në rastin e M tuberculosis biosinteza e pantotenatit, prekursor i nevojshëm për Co-A, kryhet përmes një rruge enzimatike që përfshin ketopantoat hidroksimetil transferazën (KPHMT), pantotenat sintetazën (PS), aspartat α-dekarboksilazën (ADC) dhe ketopantoat reduktazën (KPR) [1]. Kjo rrugë enzimatike mungon plotësisht tek njerëzit dhe ky fakt i bën këto enzima “target” potencialë të terapisë antibakteriale. Në Departamentin e Teknologjive Kimiko-Farmaceutike dhe Biomolekulare dhe në Departamentin për Vlerësimin Kimiko Toksikologjik dhe Farmakologjik të Barnave në përdorim teknikat e kimisë “in silico” si Molecular Docking, Molecular Dynamics, MM-PBSA, dhe 3DQSAR me qëllim krijimin e një standardi (modeli) vlerësues të qëndrueshëm, i cili mund të shfrytëzohet për zbulimin e molekulave të reja nga banka e të dhënave e krijuar nga ne, të cilat mund të përdoren si inhibitorë potencialë të kësaj rruge enzimatike. Specifikisht kohët e fundit ne po fokusohemi mbi studimin e mekanizmit të inhibimit të pantotenave të sintetazës (PS) ndërsa puna mbi enzimat e tjera është në vazhdim e sipër në laboratorin tonë.