Evente/lajme

Art Nouveau (rrymë artistike e lindur në Francë), “Secession in Vienna” (Separatistët vienezë- lëvizja artistike austriake, përfaqësuese e stilit avant-gardë), arkitektura napoleonike në Itali dhe arkitektura italiane pas Luftës së Dytë Botërore, janë shtyllat e interesit profesional të Ezio Godoli-t, profesorit italian të historisë së arkitekturës, të njohur ndërkombëtarisht.  

Ai vjen në Tiranë, për të drejtuar dy ditë të Leksioneve të Hapura të Arkitekturës në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, me dy tematika të rëndësishme të studimeve të tij: Stinët e shumta të Le Corbusier” dhe “Mies Van Der Rohe, nga Europa në Amerikë”.

I lindur në Bolonjë të Italisë, Ezio Godoli ka nisur punën në fushën e mësimdhënies në arkitekturë që prej vitit 1973 dhe sot është profesor i historisë së arkitekturës bashkëkohore në Universitetin e Firences. Përgjatë karrierës së pasur, ka kryer kërkime të rëndësishme në fushën të ndryshme të arkitekturës, përfundimet e të cilave janë prezantuar në konferenca ndërkombëtare.

Prof. Godoli ka qënë anëtar i grupit të ekspertëve të UNESCO-s, për të realizuar studime mbi restaurimin dhe ruajtjen e trashëgimisë pariziene të periudhës së Art Nouveau. Prej 1989- 1990, ai ka qenë anëtar i Komitetit të Ekspertëve të Këshillit të Europës, ku hartoi rekomandime drejtuar ministrave të vendeve anëtare lidhur me ruajtjen e trashëgimisë arkitektonike të shekullit të XX-të. Profesori i historisë së arkitekturës, ka lëvruar me kërkimet e tij, nga  Kontinenti i vjetër në Lindjen e Mesme, Afrikë, Azi, Amerikë e më gjerë.

Punët e tij kërkimore në arkitekturë janë objekt edhe i botimeve të shumta, mbi të cilat mund të lexoni në linkun e dhënë: https://www.unifi.it/p-doc2-2014-0-A-2b2c392d392d-0.html

Sot, Godoli është partner i projektit europian Arching dhe anëtar i komitetit shkencor “Cost European architecture beyond Europe”(Arkitektët europianë përtej Europës).  Fushat e tjera të studimit që profesori italian po zhvillon, janë: arkitektura e kinemave, veprat e arkitektëve italianë në Afrikën Veriore, në atë lindore dhe në Egje, Shqipëri, Turqi, si dhe në Azi dhe Amerikë.

Në 14 dhe 15 dhjetor, ora 14.30, në ambjentet e universitetit, studentët dhe të gjithë të interësuarit do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër Prof. Ezio Godol-in, prandaj sugjerojmë laps e letër me vete .