Universiteti
Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë (UNIZKM) është themeluar në vitin 2004 dhe është një nga nismat e para të arsimit privat në vend. Natyra jo fitim prurëse e Entit Themelues përbën një risi në panoramën universitare shqiptare, gjë që mundëson vendime dhe zgjedhje transparente nga ana organizative dhe e drejtimit. Ky dimension etik është edhe pikënisja e projektit formues, i orientuar drejt përgatitjes së të diplomuarve, që me njohuritë dhe aftësitë e fituara do të mund të vihen në shërbim të vendit dhe mbarë njerëzimit.
Universiteti vendoset kështu në kontekstin shqiptar si një faktor zhvillimi, me një këndvështrim ndërkombëtar, duke respektuar plotësisht traditat fetare vendase. Aktiviteti i mësimdhënies mundësohet sipas marrëveshjeve me Universitete shtetërore italiane (Bari, Roma Tor Vergata, Milano, Bologna), që bashkëpunojnë me përvojën e tyre për rritjen e këtij Universiteti në tokën shqiptare. Sot, rreth njëmijë studentë në selitë e Tiranës dhe të Elbasanit, frekuentojnë tre fakultete me shtatë kurse studimi dhe një master. Japin mësim njëqind pedagogë shqiptarë dhe katërqind italianë. Një pjesëmarrje e tillë e botës kulturore italiane e bën të vetme nga kjo pikëpamje këtë eksperiencë, që zhvillohet kryesisht në gjuhën e Dantess.
Diplomat njihen nga Universitetet italiane partnere, gjë që ka futur në sistemin universitar vendas një përmasë europiane në mënyrën e formimit. Sipas një marrëveshjeje me Parlamentin Italian dhe Shqiptar, Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë ka themeluar një Qendër për Formimin e parlamentarëve te Europës juglindore. Po ashtu, sipas një marrëveshjeje tjetër me Delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë, Universiteti ka hapur një Zyrë Informacioni mbi Bashkimin Europian.
Ndër mbështetësit e Universitetit duhen përmendur: Kongregata e Bijve të Ngjizjes së Papërlyer, Provinca Autonome e Trento-s, Krahina e Lombardi-së, Shoqata Dokita, etj.



