Kronikë e bardhë: Sot u fal një gjak!

Sot u fal një gjak! E sotmja qesh e shkëlqen si një ditë pranvere Pashkësh plot me diell. Një rresht burrash me duar të lira ecin kryelartë. Iu prin një "frat", si e quajnë në ato anë me kryqin në dorë. Ngadalë, me hap madhështor e dhembje në zemër, por të bindur në hapat e tyre, kalojnë pragun e tempullit e zënë vend në njërën anë të altarit të kishës: janë familja e Syl Ramës prej Palçit, fis i Mërturit, që falin gjakun e vëllait të tyre, Terakut.
Pak minuta më pas, një rresht tjetër burrash me duart të kapura ecin kryeulur. Iu prin një "frat" tjetër me kryq në dorë të kthyer mbrapsht. Hyjnë edhe ata në tempull: janë familja e Bek Delisë prej Aprripës edhe ata fis i Mërturit. Rreshti ndalet pak para altarit. Martini, djali i madh i Sylë Ramës e vëllai i Terakut të vrarë, shkon te "frati", e kthen kryqin mbarë dhe e puth. Vrasja e ka kthy kryqin përmbys, falja e kthen atë mbarë. Asnjë fjalë, vetëm gjeste. Heshtje madhështore më elokuente se shumë fjalë. Ata që presin faljen kalojnë në anën tjetër të altarit e nuk ulen, kanë të ulur kryet e duart pas shpine, sepse kanë ardhë me lyp... faljen e paqen. E telekamerat filmojnë edhe pse nuk e dinë se po filmojnë diçka që shekujt e kanë parë, por kurrë nuk kanë mundur ta filmojnë. Filmojnë diçka që vjen nga thellësia e kohërave, nga fise të hershme, qysh atëherë kur shkruhej "Iliada" dhe "Odiseja".
Amanetin s'e tret dheu. E sot u plotësua një amanet, një amanet malesh që vetëm burrat e gratë, të rritur me ashpërsinë e maleve, të lisave me të cilët kanë mat shtatin, të ujit të bjeshkëve që del nga guri ku kanë shuar etjen, dinë t'u lënë breznive. "Amanet! Sido të vijë puna, mos shuani kërkënd" - u kish thënë Syl Rama para se të vdiste djemve të tij. E dorasi (vrasësi) është djalë i vetëm e vrasja e tij do të thonte shuarjen e farës. Sot këta burra zgjodhën jetën. Po! Ata sot na dhanë një mësim: i thanë po jetës e nga dhembja e vdekja sot mori hov jeta. Falja është jetë!
Sot u fal një gjak! Ndërmjet dy familjeve qëndron kryqi e dy fretërit me ndërmjetësit. Hyjnorja dhe njerëzorja bashkë, sepse falja e sotshme është një gjest hyjnor i bërë nga njerëzit. Fjala e Zotit kumbon në kishë: "Sa herë duhet të falë një njeri?", e pyet Pjetri Jezusin. "Shtatë herë?". "Jo shtatë herë, - përgjigjet ai, - por shtatëdhjetë herë shtatë herë". Sot falja është te fjala, te një fjali e thjeshtë me katër fjalë, një fjalë që dinë ta thonë e ta mbajnë veç njerëzit që janë njerëz.
Formula është fjalëpak, si u ka hije akteve solemne fisnikërore e njëherësh juridike, si në kohë të moçme kur burrat ishin burra e kur fjala kishte peshë: Falë ju koftë gjaku i vllaut! Jeni të falun tash e për jetë. Fjala tul nuk ka, por eshtra bluen e sot fjala po fal, po lidh dy brigje të Drinit, Palçin e Aprripen.
Jam i bindur që për lexuesin modern këto fjalë ngjajnë të lashta, të pakuptimta, sepse në dukje jashtë mode. Sot modernia u jep pak peshë fjalës, ajo është në inflacion, por ende falë vetë Fjalës ajo merr peshë e vlerë.
Sot u fal një gjak! "Falë u koftë gjaku i vllaut!" Ndërsa këto fjalë shqiptoheshin, prej syve rridhnin lot nga të dyja palët: kush fal e kush falet qan! Loti është dhembje, por loti është edhe gëzim e, mbi të gjitha, lehtësim. Nuk e ka të lehtë askush të mbajtë peshën e fajit, por edhe askush nuk dëshiron me mbajtë peshën e një dhembje. Puthet kryqi, simboli më i madh i dhembjes, shtrëngohen duart, përsëriten fjalët, pak fjalë, por shumë të forta: "Ju koftë falë!". E përgjigjja është: "Paçi faqen e bardhë!". Po, sepse falja e ka faqen e bardhë e faqja e bardhë për shqiptarin e malsive, për atë që është rod shqiptari, është më e rëndësishme se vetë jeta, se vetë vetja. Romanët e lashtë i quanin pacta nuda e ne kemi vetëm një fjalë: besë. Besë do të thotë fe, besim te Zoti e te njerëzit. Vetëm kështu shoqëria njerëzore e ka të mundur të jetojë, vetëm kështu ajo është e jetueshme.
Ceremonia në kishë mbyllet, por ende nuk ka mbaruar gjithçka. Tash shkohet te familja e atyre që falën gjakun. E aty ka ceremoni të tjera, fjalë të tjera, pak fjalë, por gjithmonë fjalë paqendjellëse e sigurisht edhe ndonjë lot që ende rrjedh. Në fund të gjithçkaje "frati" merr fjalën e thotë diçka të fundit. Duke u drejtuar nga një grua që ka sytë me lot, e dobët, e ulur në një qosh të divanit, ai thotë: "Faleminderit moj fisnike". Është nana e Terakut të vrarë para shumë vitesh. I thotë faleminderit asaj fisnikeje që duke mbajtur dhimbjen e një nëne, edhe ajo ka falur bashkë me djemtë e vet. Por janë edhe gruaja e vajzat e Terakut e të gjithë ndjehen të falënderojnë edhe ato.
Sot u fal një gjak! E sotmja është plot diell e na fal një oaz kronike të bardhë përkundër morisë së minutave të zeza që shpesh na ofrohen nga ekranet apo hapësira e Internetit. Sot, në kohën e Internetit, fjala e shtrëngimi i dorës janë më të fortë se gjithçka. E sotmja na dhuroi një gëzim e hapi një shteg në zemrat e njerëzve që Zoti do të dijë ta bëjë më të gjerë. Të sotmen fjalët e mia e kanë të vështirë ta përshkruajnë, sepse ajo çka ka ndodhur është më shumë se fjalët e mia. Çka ka dhanë sot familja e Syl Ramë Gjeloshit nuk ka fjalë që e përshkrun sado e bukur të jetë. E sotmja ka vetëm një fjalë: ardhshin sa më shumë ditë kësisoj!



