Paqja është fryt i drejtësisë efekt i dashurisë! 

Tiranë 14 janar 2012. Është mëngjes dimri në Tiranë. Shiu i një nate më parë të jep premisa që do vijojë gjatë gjithë ditës, por nuk është e thënë. Prej vitesh të rinjtë katolikë mblidhen së bashku për të kujtuar në lutje Jezusin, që na ka dhënë një qëllim shumë të madh; për të përcjellë paqen në mbarë botën. Rrugëve teksa shkoj drejt Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" po mendoj se sa kohë u duhen të rinjve të dioqezës të vijnë deri në Tiranë, po ashtu mendja më shkon tek rruga që do të bëjnë... është akoma mëngjes!
    Teksa i afrohem gjithnjë e më pranë vendit ku do të zhvillohet takimi i Lutjes për Paqen, një porosi kjo e Atit të Shenjtë Papa Benediktit XVI, shoh të rinj që kanë mbërritur dhe po bashkëbisedojnë mes tyre. Mes tyre ndodhen edhe meshtarët e motrat që bashkë ndajnë me ta ditët dhe jetojnë nëpër komunitetet e tyre. Shumë prej tyre ka gjasa që i njoh prej kohësh, ka prej atyre që i kam parë tek tuk, por më shumë më shkon mendja tek ata të rinj që kanë ardhur për herë të parë. E veçanta e gjithë kësaj është: thua është nxitja e Jezusit që na bën të jemi të fortë për të përcjellë paqen tek të tjerët? Është vetë Shenjtëria e Tij, Benedikti XVI që na porosit: "Paqja është fryt i drejtësisë efekt i dashurisë!" Me sa shoh kjo porosi do të marrë hov në këto momente.
    Nëpër duart e të gjithëve shikoj disa letra shumë ngjyrëshe, ngjyrat që na tregojnë ylberin atë ylber premtues që Zoti i premtoi Noes për shpëtimin e botës. Diku në sallë një nga të rinjtë mban një tjetër flamur që në të është e shkruar me të madhe fjalë "PAQE". Arrij të kuptoj se sa e madhe është dashuria për ta treguar dhe për ta nxitur këtë vepër të madhe që vetë Jezusi na e përcjell "Paqja me ju" dhe që çdo herë e më shumë ipeshkvinjtë tanë na e nxisin këtë.
Është bukur të mendosh se sa shumë kohë dhe sa pak mundësi në këtë botë konsumiste i jepet e drejta kësaj fjale të madhe që jemi mbledhur sot ta përjetojmë.