Dita e Europës 11 Maj 2010, Salla Onufri, Hotel Tirana 

U organizua më 12 maj 2010, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Universitetin "Zoja e Këshillit të Mirë", Tiranë, "Aleksandër Moisiu", Durrës dhe EU Info Points në këto universitete, organizuan një konferencë me rastin e 60 vjetorit të Deklaratës Schuman. Konferenca kishte si qëllim rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të studentëve shqiptarë mbi çështjet e integrimit europian dhe të ardhmen e Shqipërisë në familjen Europiane. Kjo konferencë përmbylli ciklin e një serie aktivitetesh që EMA ka ndërmarrë në universitetet e lartpërmendura në kuadër të një iniciative të përbashkët të ndërmarrë nga European Movement International me mbështetjen e Komisionit Europian, me rastin e Ditës së Europës. Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues të botës akademike, shoqërisë civile, medias dhe studentë.

Gjatë pjesës së parë të konferencës u zhvillua një konkurs midis dy skuadrave që përfaqësojnë universitetin e "Zojës së Këshillit të Mirë", Tiranë dhe "Aleksandër Moisiu", Durrës. Konkursi u organizua në tre seksione kryesore: seksioni i parë iu kushtua çështjeve që lidhen me sfondin historik dhe ngrehinën institucionale të BE; seksioni i dytë u fokusua në marrëdhëniet Shqipëri - BE duke përmendur disa nga momentet më të rëndësishme të këtyre marrëdhënieve; dhe seksioni i tretë konsistonte në pyetje që kërkonin një nivel më të lartë analizimi nga ana e studentëve. Përgjigjet e skuadrave u vlerësuan nga një juri e përbërë nga stafi i EMAs si dhe përfaqësues të botës akademike, të cilët në fund në varësi të pikë të mbledhura përcaktua skuadrën e "Zojës së Këshillit të Mirë", si skuadrën fituese të konkursit me një diferencë të ngushtë pikësh.

 

Pjesa e dytë e konferencës iu kushtua figurave të njohura të botës akademike dhe politike të cilët diskutuan mbi procesin e integrimit europian dhe rëndësinë që ka për brezat e rinj. I ftuar gjatë kësaj pjesë ishte Z. Rexhep Meidani, ish President i Republikës së Shqipërisë, i cili mbajti një fjalim mbi "Zgjerimin e BE - si fitore e Demokracisë, Humanizmit dhe Sekularizmit". Gjatë prezantimit të tij Z. Meidani e trajtoi zgjerimin e BE nga një dimension human duke e shoqëruar atë më të dhëna dhe fakte reale.

"Hapësirat dhe sfidat e arsimit të lartë në Evropën e Bashkuar"u adresuan gjatë fjalimit të Z. Agim Kukeli, Rektor i universitetit "Aleksandër Moisiu" Durrës. Ai përshëndeti këtë iniciativë dhe vëmendjen që EMA ka treguar vazhdimisht gjatë veprimtarisë së saj ndaj stafit dhe studentëve të këtij universiteti. Z. Kukeli theksoi se  integrimi i Shqipërisë në BE kërkon angazhim serioz kryesisht në sistemin arsimor, në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Në kuadër të këtij procesi, sistemi arsimor shqiptar ka adoptuar standardet evropiane një ndër të cilat është aplikimi i kartës së Bolonjës, e cila jo vetëm që e vendos sistemin e arsimit të lartë shqiptarë në unison me politikat evropiane në këtë fushë përmes standardizimit të diplomave por njëkohësisht do t'i ofrojë më shumë mundësi studentëve shqiptarë për të marrë pjesë në programe të ndryshme shkëmbimesh duke rritur mobilitetin e tyre.

 

Z. Tritan Shehu, Zëvendës Rektor i universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë", Tiranë gjatë fjalës së tij mbi "Sistemi Shëndetësor dhe ekonomia e tregut në përputhje me standardet e BE" përmendi rëndësinë e reformimit të sistemit shëndetësor në përputhje me standardet evropiane, proces i cili do t'i paraprijë integrimit evropian të Shqipërisë. Z. Shehu theksoi se pavarësisht se Shqipëria ka nisur reformat në sistemin shëndetësor që në vitin 1993, orientimi i tyre në vazhdimësi drejt kërkesave të ekonomisë së tregut do i shërbej rritjes së efiçencës dhe cilësisë së shërbime.

 

Në fund të konferencës, 12 studentëve të universiteteve "Zoja e Këshillit të Mirë", Tiranë dhe "Aleksandër Moisiu Durrës", iu shpërndanë certifikata për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre të suksesshëm në trajnimin dhe konkursin e realizuar në kuadër të Ditës së Europës.